Teksa guvernatori i dorëhequr i skandalit të ngacmimeve seksuale Andrew Cuomo, mblidhte plaçkat dje për t’u zhvendosur nga rezidenca zyrtare te shtëpia e të motrës, duket se nuk e ka vrarë mendjen të marrë edhe qenin e tij me vete.
Por Cuomo i kishte kërkuar stafit të vilës në Albany të kujdeseshin për qenin e tij Captain, raporton rrjeti vendas Albany Times Union , duke cituar burime të policisë.
Ato shtonin se një punonjës i vilës ekzekutive e kishte marrë në shtëpi Captain përkohësisht.
Pastori siberian 3-vjeç e gjysmë, i racës së përzierë Malamute, ka kafshuar disa njerëz në të kaluarën, raportojnë mediat.
Qendra lokale e kafshëve Libby Post sugjeroi që Cuomo ta linte qenin aty ku ekspertët të punonin për t’i dhënë fund sulmeve të kafshës problematike.
Ndërsa një zëdhënës i Cuomo tha se burimet gabonin kur thonin se guvernatori po përpiqej të gjente një tjetër shtëpi për Captain.
“Captain është pjesë e familjes së guvernatorit dhe raportimet se ata po përpiqen ta heqin qafe janë të pavërteta”, tha zëdhënësi Rich Azzopardi në fundjavë.
“Dikush ka ofruar të kujdeset për të për kohën e tranzicionit por që kjo të mbushë faqet e gazetave tuaja, është absurde”, shtoi ai.
Cuomo ka adoptuar Captain në vitin 2018.
Ndërkohë guvernatori po ngarkon plaçkat e tij në pronën e zotëruar nga e motra Maria Cole dhe bashkëshorti Kenneth Cole.
Demokrati 63-vjecar dha dorëheqjen për t’i shpëtuar padisë për shkelje të ligjeve federale të ngacmimeve seksuale në detyrë dhe gjithashtu pas kritikave për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.
Cuomo ka mohuar se ka prekur femra të stafit në mënyrë të papërshtatshme, dhe mbron se politikat e tij të Covid-19 tentonin vetëm mbrojtjen nga infeksioni.
Top Channel