Lënë të vdekur 18-vjeçaren në spital, arrestohet një kosovar, zhduket tjetri

23/08/2021 10:15

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën ku një 18-vjeçare nga Ferizaj është dërguar në spital pa shenja jete nga dy persona, të cilët vetë u larguan menjëherë.

Njëri prej tyre u arrit të vihej në pranga, por tjetri është zhdukur. Sipas prokurorisë, i ndaluari i idenfikuar nga mediat vendase si Arbër Sejdiu dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, bashkë me të dyshuarin, Dardan Krivaqa.

Nga sa thuhet në njoftimin e policisë, keqtrajtimi fizik i adoleshentes ka ndodhur për motive të dobëta, por pasojat ishin fatale. Marigona Osmani ka ndërruar jetë për shkak të lëndimeve të marra ndërsa mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të.

Trupi i pajetë është dërguar tashmë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokuroria Themelore e këtij qyteti, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës thotë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së të gjitha rrethanave të ngjarjes.

 

Top Channel