Një sherr mes të rinjve ka ndodhur në një parking në lagjen “1 maji” në Vlorë, ku dy persona tentuan të vrisnin me mjet prerës një 29-vjeçar.
I riu i identifikuar me inicialet R.M., u plagos ndërsa u dëmtua edhe 25-vjeçari i identifikuar me inicialet K.k., të dy banues në fshatin Xhyherinë, Vlorë. Sherri me dy autorët, të cilët kanë rënë në prangat e policisë nisi prej një konflikti për motive të dobëta.
Autorët e dyshuar janë identifikuar si: E. M., 37 vjeç dhe shtetasi i mitur S. M., 17 vjeç, të dy banues në Fier.
Gjatë kontrollit fizik 17-vjeçarit, iu gjet dhe sekuestrua një përforcues grushti, ndërsa 37-vjeçarit iu sekuestrua automjeti i markës “Mistubishi”, të cilin e drejtonte në gjendje të dehur në momentin e prangosjes nga shërbimet e Policisë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në ngarkim të shtetasit E. M., për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe në ngarkim të shtetasit S. M., për veprat penale, “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Top Channel