Shqiptarët po zgjedhin gjithnjë e më shumë vende të qeta për të kaluar fundjavat larg zhurmave të qytetit.
Fshati Brataj në Vlorë duket se është kthyer së fundmi në një atraksion turistik për vendas e të huaj që e zgjedhin të kalojnë kohë në natyrë dhe ajër të pastër.
I pozicionuar pranë lumit ‘Shushicë’, vizitorët mund të kalojnë mbi Urën Veneciane e cila lidh dy anët e lumit në fshati Brataj, rrugën e vjetër të Karvanëve me atë të Rrëzës.
Kohët e fundit, fshati ka marrë një hov zhvillimi me kthimin e emigrantëve në atdhe, të cilët përmes investimeve që kanë kryer në zonë duket se po i rikthejnë gjallërinë këtij fshati turistik.
Shumë prej shtëpive të braktisura prej kohësh, tashmë po rijetëzohen dhe po përshtaten për struktura agroturizmi, ku kërkesa për to sa vjen e rritet si nga shqiptarët ashtu edhe nga vizitorët e huaj.
Banorë të zonës së fshatit Brataj flasin për zhvillimin që po merr kjo zonë e Vlorës, teksa grupin e xhirimit të TCH nuk ngurrojnë ta përshëndesin me një këngë labe.
Bukuritë natyrore të fshatit dhe arkitektura e veçantë e urës Veneciane ka bërë që objekti të përfshihet në guidat e zonës duke nxitur kështu turizmin kulturor e historik.
Top Channel