“Bereta Vishnje” Denis Deliu: Ju tregoj vrasjen e Feti Voglit, Shqipëria të marrë përkthyesit tanë afganë

22/08/2021 15:02

Ekziston një perceptim i gabuar se misionet shqiptare në Afganistan kanë shërbyer vetëm si roje objektesh nën komandën turke apo italiane.

Ky është Denis Deliu.  Ka marrë pjesë në misionet Eagle 4 dhe 8  në Afganistan duke shërbyer si zëvendës komandant i forcave speciale që njihen si “Beretat Vishnje”, skuadra elitë e ushtrisë shqiptare,  trajnuar nga forcat speciale amerikane Navy Seal.

Fillimisht ai i përgjigjet pyetjes të gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se cili ishte rroli i grupeve speciale shqiptare  në Afganistan.

 “Në vitin 2010 për herë të parë Shqipëria merr pjesë në vijën e parë të sulmit. Ne ishim në përbërje të një batalioni zbulimi të largët i cili qëndronte në kufi me Pakistanin sepse kufiri me Pakistanin ishte një pikë strategjike për amerikanët, për Pakistanin dhe talibanët. Shërbente si një pikë hyrëse dhe dalëse për talibanët. Kandahari ishte zona më e rrezikshme e Afganistanit dhe ne ndodheshim në një qytezë të vogël afër kufirit që quhej Spiboldak. Kjo qytezë kishte edhe doganën që amerikanët kishin investuar për rritur kontrollet dhe sigurinë në hyrjet dhe daljet që bënin popullsia afgane apo pakistaneze në këtë pikë doganore.

Denis Deliu tregon për Top Channel,  se si talibanët ia vranë shokun e skuadrës kapiten Feti Voglin, plagosën tetarin Aleksandër Peci dhe rreshterin amerikan Michael Trost të cilët janë bashkë në këtë foto.

 “Ne shkuam tek vendi ngjarjes një pjesë e jona sepse një pjesë tjetër nuk e harroj dhe nuk do ta harroj gjithë jetën time këtë moment, makinat na u prishën dhe ne mbetëm mes maleve të talibanëve që ishte një zonë ku nuk futej as policia e as ushtria afgane pra një zonë shumë e vështirë. Personi që qëlloi mbi kapiten Feti Voglin ishte një oficer me trajnim mbaruar shkollën në Pakistan por i infiltruan në policinë afgane dhe kishte lidhje direkte me talibanët pas verifikimeve që ne dhe shërbimet sekrete amerikane bëmë. Doli që ai kishte pritur ditën dhe datën e caktuar të na sulmonte. Ai ruajti që forcat shqiptare të jenë sa më shumë në numër për të krijuar sa më shumë dëme. Nuk imagjinohej kurrë më parë që forcat shqiptare apo amerikane të sulmoheshin nga brenda nga njerëz të trajnuar nga ne apo të koalicionit. Ishte hera e parë që ndodhte një ngjarje e tillë me forcat shqiptare.”

Muhamed Veliu-Statistikat e luftës 20 vjeçare në Afganistan na tregojnë se rreth 6.000 ushtarë amerikan dhe nga forcat aleate të NATO-s përfshi edhe jetën e kapiten Feti Voglit u morën vetëm e vetëm që aty të instalohej demokracia.  Ndërkohë që sot situata është krejt ndryshe dhe Afganistani është nën pushtetin e talibanëve. A ia vlejti e gjithë kjo përpjekje?

 Denis Deliu: “Unë mendoj që ia vlejti me plot kuptimin e fjalës pavarësisht humbjeve të jetës të dëshmorëve të rënë në krye të detyrës. Me ekzistencën tonë atje ne bëmë të mundur ndryshimin, hapjen e shkollave, fillimin e jetës normale, të qytetërimit dhe rendit demokratik që populli afgan të ishte i lirë, të kishte lirinë e fjalës, femrat të ishin të lira e të shkolloheshin e punonin. Ashtu siç i ka hije një populli në demokraci”.

Ish drejtuesi forcave speciale shqiptare në Afganistan i pyetur nëse Ministria e Mbrojtjes duhet të identifikojë e strehoj  në Shqipëri përkthyesit afgan të misioneve shqiptare thotë.

 “Përkthyesit afganë kanë luajtur një rrol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e operacioneve speciale që ne kemi kryer në Afganistan. Shteti Shqiptarë, Ministria e  Mbrojtjes dhe e Jashtme duhet të bashkëpunojnë ngushtë me Qeverinë Amerikane, organizatat  që ndodhen në Kabul, në mënyrë që këta përkthyes të vinë e të strehohen këtu në Shqipëri sepse për mendimin tim ata e meritojnë të shpëtohen pasi janë popull në nevojë dhe i rrezikohet jeta. Shqipëria i ka kapacitetet njerëzore dhe operacionale për t’i pritur verifikuar dhe kontrolluat të gjithë afganët që do vijnë”.

FOTO GALERI
1/17
Denis Deliu gjatë misioneve Eagle 4 dhe 8 në Afganistan

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA