Luftëtarë opozitarë, besnikë ndaj qeverisë së përmbysur të Afganistanit rimorën të premten tre rrethe veriore nga talebanët, vetëm disa ditë pasi grupi islamik rivendosi kontrollin e tij mbi pjesën më të madhe të vendit.
Llogaritë pro-talebanëve në median sociale konfirmuan përmbysjen ushtarake në provincën Baghlan në veri. Ata thanë se të paktën 15 luftëtarë talebanë u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën në atë që e përshkruan si tradhti të amnistisë së shpallur për anëtarët e ish-qeverisë afgane. Abdul Hamid, komandant lokal i asaj që u përshkrua si një kryengritje kundër talebanëve, tha në një video-mesazh nga Andrabi, një nga rrethet e sapo-marra, se forcat e tij po përparonin drejt një rrethi tjetër aty pranë, duke u zotuar të kapte të gjithë Baghlanin.
Njoftohet se talebanët kanë dërguar forcat e tyre në Andrab për të organizuar një kundërsulm. Zëri i Amerikës kërkoi por nuk ka marrë reagim nga zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, për këtë kundërsulm, i pari i ndërmarrë zyrtarisht që kur grupi ekstremist mori kontrollin e kryeqytetit, Kabul, të dielën.
Sulmi i së premtes erdhi vetëm disa ditë pasi Amrullah Saleh, i cili shërbeu si zëvendësi i parë i Presidentit të arratisur Ashraf Ghani, u zotua se do të organizonte një rezistencë të fortë ndaj talebanëve nga provinca e tij e Panshirit. Zoti Saleh është vetë-shpallur president i përkohshëm, duke cituar kushtetutën afgane, pasi zoti Ghani u largua nga vendi të dielën dhe iu ofrua azil nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ish-nënpresidenti pretendoi se po vepronte jashtë Panshirit me mbështetjen e Ahmed Masudit, djalit të komandantit të vrarë afgan Ahmed Shah Masud, i cili mbrojti me sukses krahinën dhe zona të tjera në Afganistan gjatë qeverisë së mëparshme talebane nga 1996 deri në 2001. Ndërkohë, udhëheqësit talebanë kanë zhvilluar bisedime me ish-rivalët afganë në Kabul me premtimin se po përpiqen të formojnë një “qeveri gjithëpërfshirëse islamike” për të drejtuar vendin e shkatërruar nga konfliktet.
Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare i kanë paralajmëruar talebanët se në qoftë se nuk përpiqen për një qeverisje gjithëpërfshirëse, vetëm do të zgjasin luftën civile në Afganistan dhe se vendet e tjera nuk do ta njohin një qeveri të tillë. Talebanët janë zotuar për një qeverisje ndryshe nga ajo e ndjekur kur ishin në pushtet 1996-2001, duke premtuar se do të respektojnë të drejtat e grave dhe do t’u lejojnë atyre të punojnë dhe të arsimohen në përputhje me Shariatin.
Por aktivistë për të drejtat e njeriut dhe të tjerë njoftojnë se luftëtarë talebanë po u vijnë nëpër banesa dhe i frikësojnë. Disa prezantuese televizive kanë thënë se televizioni shtetëror i ka hequr pa shpjegime nga transmetimet në ekran. Por ish-ligjvënësja afgane, Elai Ershad tha në komente për Zërin e Amerikës me telefon nga Kabuli se megjithë disa probleme të vogla, gjendja e sigurisë në kryeqytet po përmirësohet./VOA
Top Channel