G7: Talebanët të garantojnë sigurinë e të huajve dhe afganëve që duan të largohen nga Afganistani

21/08/2021 03:46

Ministrat e Jashtëm të G7-s u bënë thirrje talebanëve të garantojnë “sigurinë” e të huajve dhe afganëve që dëshirojnë të largohen nga Afganistani.

“Ministrat e G7-s i bëjnë thirrje talebanëve të sigurojnë kalim të sigurt për shtetasit e huaj dhe afganët që dëshirojnë të largohen”, tha në një deklaratë Dominic Raab, kreu i diplomacisë së Britanisë së Madhe, që, aktualisht, mban presidencën e G7-s.

Ministrat theksuan “nevojën që të gjitha palët të respektojnë ligjin humanitar ndërkombëtar”. “Talebanët duhet të sigurojnë që Afganistani të mos kthehet në një kërcënim terrorist për sigurinë ndërkombëtare,” paralajmëruan, gjithashtu, ministrat.

Takimi i tyre i paraprin një samiti virtual të liderëve të G7-s për situatën në Afganistan, i planifikuar për javën e ardhshme.

Top Channel