Zyrtare/ Odegaard firmos me Arsenalin deri në vitin 2026

20/08/2021 14:40

Mesfushori norvegjez Martin Odegaard, zyrtarisht lojtar i Arsenalit. 22-vjeçari, i cili pjesën e dytë të sezonit të kaluar luajti i huazuar te “Topçinjtë”, do ta vijojë karrierën në Londër, pasi klubi anglez e ka blerë përfundimisht kartonin e tij nga Reali i Madridit.

Marrëveshja mes “Los Blancos” dhe Arsenalit për lojtarin e lindur në Drammen (12-17-1998) u mbyll për rreth 40 milionë euro. Kujtojmë që Odegaard u ble nga Reali kur ishte vetëm 16 vjeç për katër milionë euro nga Stromsgodset. Ai ka nënshkruar kontratë 5-vjeçare me Arsenalin, pra të vlefshme deri në vitin 2026.

Odegaard, i cili e nisi karrierën në vendlindjen e tij me Stromsgodset, fillimisht u bë pjesë e skuadrës së dytë të Realit, Castilla, më pas u huazua në Holandë tek Herenveen, Vitesse, më pas te Real Sociedad dhe së fundmi tek Arsenali. Me Realin e Madridit ka mundur të aktivizohet në 8 ndeshje të LaLigas. Odegaard numëron gjithashtu 30 ndeshje dhe një gol me përfaqësuesen e Norvegjisë.

Nënshkrimi i Odegaardit me Arsenalin është pa dyshim një lajm shumë i mirë për trajnerin Mikel Arteta, që tashmë do të ketë në dispozicion një mesfushor shumë cilësor, që e njeh shumë mirë ambientin e “Topçinjve”./ SS

FOTO GALERI
1/4

Top Channel