PSG pa Messin, por me Donnarummën, Leipzig synon fitoren e parë sezonale

20/08/2021 10:05

I ardhur në Paris disa ditë më parë, Lionel Messi do të duhet të presë ende për të debutuar me fanellën e PSG-së, pasi trajneri Pochettino ka vendosur të mos e marrë me vete për transfertën ndaj Brestit, që do të luhet sonte në mbrëmje dhe do të transmetohet live në ekranin e Supersport 2.

Ndonëse pa Messin e Neymar, skuadrës kryeqytetase nuk do t’i mungojnë yjet, pasi grupit i janë bashkuar edhe emra si argjentinasi Di Maria, braziliani Marquinhos dhe italianët Verratti e Donnarumma, me këtë të fundit që është gati të debutojë zyrtarisht në fushë.

Këta emra u shtohen edhe të tjerëve si Mbappe, Icardi, Hakimi, etj., të cilët kanë dhënë 6 pikë skuadrës në dy ndeshjet e para dhe do të provojnë t’i japin një tjetër fitore në transfertën ndaj Brestit, që nga ana tjetër e ka nisur kampionatin me dy barazime.

Paris Saintg Germain është pretendentja kryesore për të fituar titullin kampion në Spanjë, teksa tifozët mezi presin të shohin disa nga futbollistët më të mirë në botë, të luajnë bashkë në të njëjtën 11-she.

Përveç kampionatit francez, në ekranin e Supersport do të vijnë edhe emocionet e Bundesligës, me Leipzigun që do të presë në “Red Bull Arena” skuadrën e Stuttgartit. Vendasit e nisën keq sezonin, duke humbur në ndeshjen e parë në transfertën ndaj Mainzit, ndërsa Stuttgarti vjen pas një fitoreje të thellë 5-1 ndaj Greuther Furth.

Megjithatë Leipzig mbetet një skuadër e konsoliduar dhe do të kërkojë menjëherë rikthimin te suksesi, që në ndeshjen e mbrëmjes së sotme ndaj Stuttgartit, në një 90-minutësh që premton spektakël dhe do të vijë ekskluzivisht në ekranin e Supersport 3./SuperSport/

Top Channel