Instituti i Statistikave në Shqipëri, ka njoftuar se në vitin 2020, numri i vizitave gjithsej në shërbimin parësor spitalor është 7.353.296, mesatarisht 2,6 kontakte për person në vit.
Sipas institutit, numri i vizitave shënon një rënie me 3,9%, krahasuar me numrin e vizitave në vitin 2019. Ditët mesatare të qëndrimit të një pacienti në spital janë 5,1 ditë gjatë vitit 2020. Në institucionet publike të shërbimit spitalor janë kryer 46.369 ndërhyrje kirurgjikale, 27,2 % më pak, krahasuar me një vit më parë.
“Në vitin 2020, kanë operuar 413 qendra shëndetësore të degëzuara në 2.037 ambulanca dhe 46 poliklinika të specializuara. Nga 7.353.296 vizita gjithsej në shërbimin parësor, 42,8 % janë kryer në qendrat shëndetësore, 20,5 % në ambulanca dhe 36,6 % në poliklinika. Përgjatë 5 viteve të fundit, vihet re pothuasje e njëjta shpërndarje në numrin e vizitave. Mbi 40 % e vizitave në qendrat shëndetësore dhe ambulanca janë kryer nga personat mbi 60 vjeç. Në vitin 2020, numri i vizitave në konsultorin e gruas është 212.400, duke shënuar një rritje me 3,0 %, krahasuar me vitin 2019. Nga totali i vizitave, 85,8 % janë vizita obsetrikale, nga të cilat 61,1 % janë realizuar me asistencë të mjekut specialist. Numri i vizitave të para obsetrikale është 23,636, 16,1 % më pak, krahasuar me vitin 2019. Në vitin 2020, në konsultorin e fëmijëve janë regjistruar 256.146 fëmijë dhe janë kryer 708.211 vizita, mesatarisht 2,8 vizita për fëmijë në vit. Krahasuar me vitin 2019, numri i vizitave është ulur me 9,5 %. Nga totali i vizitave, 57,9 % e tyre janë realizuar me asistencë të mjekut specialist dhe pjesa tjetër janë ndjekur nga mami dhe infermierë. Numri i fëmijëve që ushqehen vetëm me gji gjatë vitit 2020 është 18.541, ndërkohë numri i fëmijëve që ushqehen vetëm me ushqim artificial është 4.239. Në vitin 2020, numri i spitaleve publik dhe jopublik në vend është 58, nga të cilët 42 janë spitale publike dhe 16 spitale private. Mbulimi i shërbimit spitalor publik dhe jopublik është 2 spitale për 100 mijë banorë dhe numri i shtretërve spitalorë publik dhe jopublik është 9.196 ose 3,2 shtretër për 1.000 banorë”, thuhet në njoftim.
Në institucionet publike të shërbimit spitalor, në vitin 2020 numri i të shtruarve është 201.449 pacientë. Ditët e qëndrimit mesatar të një pacienti janë 5,1 ditë në vit me një xhiro të shtratit 24,2 herë pacientë në vit.
Shfrytëzimi i një shtrati për kujdes shëndetësor gjatë vitit 2020 është 123,9 ditë, të cilat përbëjnë 33,9 % të ditëve kalendarike të këtij viti. Nga totali i pacientëve të shtruar, 23,0 % e tyre kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale.
Top Channel