Benzema rinovon me Realin, synon të kalojë Santillanan dhe Di Stefanon

20/08/2021 21:48

Karim Benzema duket se ka vendosur të mbyllë karrierën te Reali i Madridit.

Pas largimit të Cristiano Ronaldos, ka qenë pikërisht francezi ai që ka marrë përsipër misionin e dërgimi

it të topit në rrjetë, pasi në sezonin e fundit ka shënuar 30 gola e ka asistuar 9 të tjerë, në 46 ndeshje të luajtura si titullar.

Forma e mirë e Benzema u shfaq edhe në ndeshjen e parë të këtij sezoni ndaj Alaves, ku luajti me shiritin e kapitenit në krah, udhëhoqi repartin dhe arriti të shënojë dy gola, ndaj edhe presidenti Perez vendosi ta shpërblejë me rinovim.

Konfirmimi i Benzemasë edhe për dy sezonet e ardhshme në “Santiago Bernabeu” po përdoret nga Perez edhe si “magnet” për të afruar në kryeqytetin spanjoll sulmuesin tjetër francez, Kylian Mbappe, duke qenë se marrëdhëniet mes të dyve janë të shkëlqyera.

Karim Benzema është futbollisti i gjashtë që rinovon me Realin këtë verë, pasi më herët kanë firmosur kontratë të re edhe Luka Modric, Lucas Vasquez, Nacho, Carvajal e Courtois, ndërsa emra të tjerë si Marcelo, Isco e Bale nuk kanë marrë ofertë të re dhe pritet të largohen nga Madridi verën e ardhshme me parametra zero.

Nga ana tjetër, me dy vite të tjera kontratë, Benzema mund të synojë arritjen e vendit të tretë në listën e golashënuesve më të mirë të Los Blancos, pasi ka shënuar 281 gola, 9 më pak se Santillana që mban vendin e katërt dhe 27 më pak se Alfredo Di Stefano, që mban vendin e tretë.

Jo i pa arritshëm edhe vendi i dytë, që mbahet nga Raul Gonzales me 323 gola të shënuar, por një mision i pamundur duket vendi i parë i Cristiano Ronaldos, që ka dërguar topin në rrjetë plot 451 herë me fanellën e Realit të Madridit./ SuperSport

Top Channel