Tiranë/ Sekuestrohen 115 kg kafe, arrestohet 61-vjeçari, procedohet penalisht gruaja e tij

19/08/2021 11:56

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 61-vjeçar dhe ka proceduar penalisht gruan e tij, pasi në dyqanin e tyre është sekuestruar një sasi kafeje që dyshohej se ishte kontrabandë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Vladimir Hoxha., 61 vjeç dhe proceduan penalisht bashkëshorten e tij, pasi gjatë kotrollit të ushtruar në dyqanin e tyre, në rrugën “Petro Nini Luarasi”, sherbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 115 kg kafe, e cila dyshohej se ishte kontrabandë”, njofton policia.

Po ashtu është proceduar penalisht një tjetër shtetase për veprën penale “Fshehje e të ardhurave”.

“Në vijim të veprimeve është proceduar penalisht për veprën penale “Fshehje e të ardhurave” edhe shtetasja me iniciale A. G., pasi gjatë kontrollit në subjektin e saj  në afërsi të Tregut Ushqimor, nuk lëshonte kupon tatimor për mallrat që tregtonte”, bën me dije policia.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehje të ardhurash“, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve“ dhe “Shkelje e të drejtave të pronësisë industriale“.

Top Channel