Pochettino: Presim lojtarë të tjerë, Mbappe është i qetë e i lumtur

19/08/2021 21:04

Në prag të transfertës ndaj Brestit, e planifikuar për të premten në mbrëmje dhe që do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e Supersport, trajneri Maurizio Pochettino doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli edhe për mundësinë e grumbullimit të Donnarummës e Lionel Messit për herë të parë me skuadrën.

“Messi ka vetëm pak ditë që stërvitet me skuadrën, por e kam parë në formë të mirë. Megjithatë për grumbullimin e tij do të vendosim menjëherë pas seancës së fundit stërvitore. Më shumë shanse ka që të grumbullojmë Donnarummën, i cili është në formë të mirë dhe për më tepër, kemi nevojë ta ulim në pankinë, pasi është dëmtuar edhe Sergio Rico. Është shpallur portieri më i mirë i Europianit dhe natyrisht që është vlerë e shtuar për skuadrën tonë”, u shpreh Pochettino.

Me kaq shumë yje në skuadër, të gjithë presin që Paris Saint Germain jo vetëm të fitojë, por edhe të realizojë goleada në ndeshjet e kampionatit, megjithatë trajneri argjentinas ka një tjetër sfidë në klubin kryeqytetas.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është të ndërtojmë një skuadër dhe të punojmë së bashku. Jam i lumtur me talentin që kemi në organikë, por sfida jonë do të jetë të punojmë të gjithë me të njëjtën filozofi”, deklaroi argjentinasi.

Pavarësisht blerjeve të bujshme në të gjithë repartet, mediat raportojnë se PSG po punon edhe për një përforcim tjetër më mesfushë, teksa janë lakuar emra si Paul Pogba apo Camavinga, ndërsa Pochettino nuk mund të bëjë tjetër vetëm se t’i mirëpresë.

“Një klub si PSG-ja është gjithmonë e hapur ndaj mundësive për t’u përforcuar dhe për sa kohë që merkatoja është e hapur, gjithçka mund të ndodhë. Nuk mund të them asgjë më shumë se kaq”, tha Pochettino.

E pamundur për argjentinasin, t’u shmangej pyetjeve për Kylian Mbappe, i cili ka refuzuar disa oferta rinovimi, pasi dëshiron të transferohet te Reali i Madridit, por po has në kundërshtinë e presidentit të PSG-së, Al Khelaifi.

“Kylian është futbollisti ynë dhe nuk shoh asnjë arsye pse duhet të largohet. Natyrisht që në periudhë merkatoje thuhen shumë gjëra, por vetëm pak ndodhin në të vërtetë. Mbappe po punon shumë mirë për të përballuar një sezon të ngarkuat. Ai ka edhe një vit kontratë me PSG-në, ne jemi shumë të lumtur që e kemi në ekip dhe mesa shoh në stërvitje, edhe ai është i lumtur që është pjesë e jona”, tha Pochettino.

Top Channel