Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Muzafer Shala ka akuzuar Ministrinë e Arsimit se ka dështuar t’i bëjë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor me kohë, krahas situatës së rënduar nga përballja me pandeminë COVID-19 dhe rritjes së numrit të rasteve të infektuara me virusin Delta.
Shala në një konferencë për media, theksoi se për PDK-në është jashtëzakonisht e papranueshme, zhgënjyese dhe dështim fund e krye i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që të nuk ka arritur t’i bëjë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator.
“Kosova po shkon drejt mbylljes së sërishme për shkak të keqmenaxhimit, sepse në rrethanat kur pandemia nuk ka përfunduar ende, Ministria e Arsimit dështoi për t’i bërë përgatitjet e duhura dhe me kohë. Njëri nga sektorët që do të goditet më së shumti duket të jetë sërish arsimi dhe fëmijët tanë që do të mbesin në shtëpi pa një perspektivë të qartë shkollore. Fatkeqësisht, ato që i kemi paralajmëruar me kohë si PDK tashmë veç po ndodhin për shkak se Qeveria e Kosovës, më konkretisht Ministria e Arsimit nuk e ka shfrytëzuar pushimin e gjatë veror për t’i bërë të gjitha përgatitjet e duhura që fëmijët të kthehen në bankat e shkollës normalisht dhe që personeli arsimor të jetë i vaksinuar i tëri dhe me prioritet”, theksoi Shala.
Shala ka apeluar Ministrinë e Arsimit dhe të gjitha institucionet përgjegjëse që ta marrin seriozisht situatën me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në të kundërtën, ai tha se dështimi i qeverisë do të zbeh besimin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve në sistemin arsimor të vendit tonë në këtë krize pandemie.
“Në këto momente kur po flasim, situata në terren është alarmuese dhe shumë drejtor shkollash që ne i kemi kontaktuar thonë se askush nuk i ka kontaktuar për asgjë. Prandaj shqetësimet që po i ngrisim sot si PDK për ministren e Arsimit Arbërie Nagavci janë si në vijim: Sa është numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të prekur nga COVID? Si janë kushtet higjienike për fillimin e vitit shkollor 2021/2022 dhe a duhet dezinfektuar shkollat? Çka do të behet rreth zëvendësimit të mësimdhënësve qe nuk munden ta fillojnë vitin shkollor për shkak të infeksionit? Sa është përiqindja e vaksinimit tek personeli arsimor dhe mbështetës në nivel të Kosovës?… Këto dhe shumë pyetje të tjera na bën të kuptojmë që qeveria me plot kuptimin e fjalës ka dështuar ti bëj përgatitjet e duhura për ta filluar normalisht vitin e ri shkollor”, tha ai.
Ai shtoi se do të duhej që vaksinimi të ishte i obligueshëm për të gjithë personelin prej arsimit para fillor e deri tek ai universitar.
Si PDK, Shala tha se kanë pasur mirëkuptim ndaj qeverisë vitin e kaluar për situatën e vështirë të arsimit sepse pandemia ishte e panjohur për krejt botën dhe shumë vende i gjeti të papërgatitura.
Por shtoi se është jashtëzakonisht e papranueshme, zhgënjyese dhe dështim fund e krye i qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që të mos i bënte përgatitjet e duhura për të nisur mbarë dhe me rregull viti i ri shkollor më 1 shtator.
Top Channel