“Serbia ta njohë Kosovën”, kryeministri Albin Kurti mesazh nga Parisi drejtuesve të ardhshëm në Beograd Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian (BE) nga 20 gushti do të pranojë certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Organi ekzekutiv i BE-së miratoi vendime ekuivalente për certifikatat COVID-19 të lëshuara nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, Turqisë dhe Ukrainës.
Me këtë vendim, të tre vendet bashkohen me sistemin COVID-19 të bllokut evropian duke siguruar udhëtimin e lirë drejt dhe brenda bllokut.
Personat që posedojnë certifikatën COVID-19 të lëshuar nga këto tre vende nga nesër do të lejohen të udhëtojnë në bllokun evropian me të njëjtat kushte si qytetarët e BE-së.
Në këmbim, qytetarët e BE-së do të mund të përdorin kartat e tyre COVID-19 kur do të hyjnë në Maqedoninë e Veriut, Turqi apo Ukrainë.
Duke folur mbi vendimin, komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha se “derisa luftojmë pandeminë së bashku, partnerët tanë po ashtu janë një pjesë integrale e hapjes së sigurt së bashku”.
Eurokomisari Varhelyi përshëndeti përfshirjen e Maqedonisë së Veriut, Turqisë dhe Ukrainës në sistemin e ‘Certifikatës Dixhitale COVID’ të bllokut evropian.
Maqedonia e Veriut, nga ana e saj, përshëndeti vendimin e Komisionit Evropian, duke theksuar se në këtë mënyrë qytetarët e këtij vendi do t’i shmangin kufizimet e udhëtimit si testimet shtesë ose karantina e detyruar.
Ky vendim i Komisionit Evropian është njohje për Maqedoninë e Veriut për hapat aktive të ndërmarrë nga ana jonë në kontekst të ndërveprimit me rregullat e BE-së në këtë drejtim. Kjo do të thotë konfirmim për autenticitetin, vlefshmërinë dhe integritetin e vendimeve, hapave dhe masave që ndërmerren nga institucionet tona kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë”, tha në një njoftim Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
– Funksionimi i ‘Certifikatës Dixhitale COVID’
Dokumenti është i disponueshëm në telefonat e mençur ose në format letre dhe përmban një kod ‘QR’ që lejon autoritetet të përcaktojnë statusin e virusit COVID-19 të udhëtarit.
Ky dokument tregon nëse një person ka marrë të dy dozat e rekomanduara të vaksinës COVID-19 të miratuar nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA), nëse posedon test negativ ‘PCR’ brenda 72 orëve të fundit ose nëse është shëruar nga virusi në gjashtë muajt e fundit.
Vaksinat e autorizuara nga EMA janë produktet e kompanive farmaceutike Pfizer/BiNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac dhe Johson & Johnson.
Persona që nuk janë të vaksinuar dhe nuk kanë dokument se janë shëruar nga virusi do të duhet të bëjnë një test ‘PCR’, ndërsa ata që janë vaksinuar me vaksinën e kompanisë kineze SinoVac, që nuk përfshihet në vaksinat e rekomanduara nga EMA, do të duhet të kontrollojnë kërkesat e hyrjes në vendin ku duan të udhëtojnë./AA/
Top Channel