Qeveria e Kosovës mori masa të reja në përpjekjeje për të frenuar përhapjen e variantit Delta të COVID-19 që ka rritur kurbën e infektimeve në vend në rekorde të papara deri më tani.

Shoqata e Pacientëve të Kosovës dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovës akuzojnë ekzekutivin se nuk janë në krye të detyrës dhe se bën kurban shëndetin për ekonominë duke u vonuar edhe me shtrëngimin e masave.

Të dhënat e datës 17 gusht folën për 2110 raste të reja, ndërsa në total numri i rasteve aktive është 12.159.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës, Besim Kodra derisa i ka quajtur të frikshme shifrat e fundit të infektimeve me COVID-19, thotë se situata me pandeminë nuk është menaxhuar mirë. Sipas tij Qeveria e Kosovës ka bërë hapa të gabuar duke i dhënë prioritet ekonomisë dhe jo shëndetit publik.

Kodra bën apel që të rriten kapacitet spitalore pas shtimit të rasteve pozitive me COVID, veçanërisht të variantit Delta.

Kodra: “Ministri ka vendosur me u marr me pandeminë, mirëpo numrat i kemi jashtëzakonisht keq nuk janë shumë më keq se herën e kaluar ngase nëse marrim përqindjen e testeve që dalin pozitiv tashmë bëhen 10 mijë teste që në të kaluarën nuk janë bërë dhe që tregon se COVID-in asnjëherë nuk e kemi pasur në kontroll… Aktualisht a është duke u menaxhuar mirë unë mendoj se jo për shkak se i është dhënë përparësi shëndetit të ekonomisë në raport me shëndetin publik të qytetarëve. Çka duhet bërë unë konsideroj se duhet të bëhet një balancë, tash jemi në një situatë që rritja e shpejt e numrit të rasteve është si me thënë e frikshme, nuk ka ndodhur ne të kaluarën aq shpejt me u rrit numrat dhe kjo padyshim që do një rritje të kapaciteteve spitalore për shkak se ato do na duhen me këtë rritje të numrit të të infektuarve”.

Kodra thotë se shtrëngimi i masave duhet të ndodhtë kohë më parë dhe tani duhet të bëhet përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Kodra: “A janë në kohë të duhur, unë konsideroj se Qeveria është vonuar në balancimin e masave me rrezikun dhe tash jemi në një situatë që vetëm duhet të shikojmë që vetëm të kemi sa më pak vdekje ose të shikojmë rritjen e kapaciteteve spitalore”, u shpreh Kodra.

Në anën tjetër, nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Xhemajl Selmani thotë se institucionet e Kosovës nuk janë në nivel të detyrës.

Ai thotë se krahas telasheve me pandeminë, Klinikat kanë probleme edhe me funksionimin e përditshëm me pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera.

Selmani: “Situata është e rëndë, profesionistët shëndetësorë po mundohen të japin në aspektin profesional të vetën qeveritarët tanë duke filluar nga menaxhmimi i ulët e deri tek menaxhimi lartë, deri të ministri, besa edhe kryeministri, nuk janë në nivel të detyrës sepse e kanë futur kokën në zall sikurse struci. Ne kemi shumë mangësi dhe shumë probleme në funksionimin e përditshëm të shëndetësisë dhe duhet ta dimë se përveç kësaj epidemie gjatë verës me gjithë këtë fluks të njerëzve dhe trauma është epidemi realisht në repartin ku unë punoj kemi mangësi në materialet të cilat ne i shfrytëzojmë në procesin e punës dhe kemi vështirësi aq të mëdha sa që jemi në telashe edhe me pacientët tanë”.

Nënkryetari i FSSHK-së, thotë se pakënaqësia tek profesionistët shëndetësorë është mjaftë e madhe, dhe motivimi ka rënë pasi që tashmë mjekëve dhe infermierëve u janë ndërprerë edhe shtesat nga muaji qershor.

Selmani: “Mos të flasim pastaj për problematikat që kanë shkaktuar edhe në stimulimet e punonjësve shëndetësorë sepse që nga qershori janë ndal edhe ato stimulime, motivimi është shumë i humbur në aspektin e punës sepse pagat tashmë jo vetëm ata, por edhe popullata e di që ne këto paga i kemi shumë të vogla në raport me të tjerët dhe pakënaqësia është shumë e madhe, motivimi për punë është shumë i ulët e numrat janë rritur”.

Prej nesër deri më 1 shtator nuk do të lejohen ahengjet dhe nuk do të punojnë klubet e natës. Hyrja në ambientet ku mbahen grumbullimet, tubimet si festivalet dhe koncertet, aktivitetet sportive dhe kulturore të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse pjesëmarrësit posedojnë certifikatën e vaksinimit me një apo dy doza të vaksinës, test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, dëshmi se personi e ka kaluar COVID-19 apo test antigjen jo më të vjetër se 48 orë.

Top Channel