Ishte kthyer në makthin e ish të dashurës, arrestohet 34-vjeçari. Kapen edhe dy persona se rrahën bashkëshortet e tyre

19/08/2021 12:42
Drejtoria e Policisë Tiranë

Policia e Tiranës bën me dijet se ka vënë në pranga një 34-vjeçar, i cili prej kohësh ka përndjekur ish të dashurën e tij, e cila ka qenë e pajisur me urdhër-mbrojtje.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. A., 34 vjeç, pasi ka përndjekur ish të dashurën e tij, e cila ka qenë e pajisur me urdhër-mbrojtje”, njofton policia.

Po ashtu janë arrestuar edhe dy persona që kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshorteve të tyre.

“Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Th., 61 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. S., pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij”, njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel