Një 57-vjeçare është arrestuar nga policia në Kukës pasi i vuri zjarrin pyllit në fshatin Pistë.
Ajo është identifikuar me inicialet Sh. Sinani, banuese në fshatin Pistë, dhe dyshohet se ka vënë zjarr në pyllin në afërsi të banesës së saj, ku për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme pylli me lis dhe shkurre.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë dy të mitur në Has, për “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
“Strukturat e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të veprimeve për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrëvënies të qëllimshme apo nga pakujdesia, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetases Sh. Sinani, 57 vjeçe, banuese në fshatin Pistë, pasi dyshohet se ka vënë zjarr në pyllin në afërsi të banesës së saj, ku për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme pylli me lis dhe shkurre.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë dy shtetas të mitur J.R., dhe B.R., banues në fshatin Golaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, pasi në fshatin Golaj kanë ndezur zjarr. Si pasojë e erës së fortë zjarri u ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë dhe djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me lis dhe shkurre”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë e Policisë Kukës apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
Top Channel