UEFA ka publikuar emrat e nominuar për çmimet “Futbollisti i sezonit” dhe “Trajneri i sezonit”, teksa fituesit do të zbulohen mesditën e 26 gushtit në Haliç Congress Center të Stambollit, ku do të mbahet edhe ceremonia e shortit të grupeve të kompeticioneve europiane për klube, si Champions, Europa e Conference League.
Kështu për futbollistin e sezonit në garë do të jenë tre futbollistë që luajnë në kampionatin anglez, fantazisti i Manchester City-t, Kevin De Bruyne dhe mesfushorët e Chelsea-t, N’golo Kante e Jorginho, me këtë të fundit ndjeshëm favorit, pasi përveç Ligës së Kampionëve e Superkupës Europiane me londinezët, fitoi edhe Kampionatin Europian me Italinë.
Sa i përket trajnerit më të mirë të sezonit, tre emrat në garë për të fituar çmimin janë fituesi i Premier Leagues me Manchester City-n, Pep Guardiola, fituesi i Ligës së Kampionëve me Chelsea-n, Thomas Tuchel dhe fituesi i Kampionatit Europian 2020 me Italinë, Roberto Mancini.
Lista tre-emërore finale u përzgjodh nga një juri e përbërë nga 24 trajnerët e përfaqësueseve që garuan në Euro 2020, 80 trajnerët e klubeve që morën pjesë në fazën e grupeve të edicionit të kaluar të Champions dhe Europa League, dhe 55 gazetarë, përfaqësues të 55 shteteve anëtare të UEFA-s.
Pjesëmarrësve në votim u është kërkuar të vlerësojnë me 5, 3 dhe 1 pikë, tre emrat e tyre të preferuar, ndërsa trajnerëve nuk u është lejuar të votojnë për veten, apo për futbollistët që kanë në ekipet përkatëse.
Top Channel