EMRI/ Vrojtuesi i plazhit rrezikon jetën për të shpëtuar nënën me fëmijën, transportohet në gjendje të rëndë në spital

19/08/2021 14:02

Një vrojtues plazhi ka rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar një nënë dhe fëmijën e saj që ishin në rrezik mbytje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në plazhin e Spillesë, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga Federata Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”.

Federata shpjegon se më të konstatuar se nënë e bir ishin duke u mbytur, vrojtuesi Idajet Roçi ka shkuar menjëherë në ndihmë të tyre.

Fillimisht ai ka nxjerrë në breg nënën dhe më pas fëmijën, por duke qenë se deti ka qenë i trazuar dhe me dallgë shumë, Idajet Roçi ka pirë ujë dhe ka shfaqur probleme shëndetësore.

Ai është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve për ndihmë më të specializuar.

“Vrojtuesi i Plazhit IDAJET ROÇI, ka bere nje shpetim heroik duke rrezikuar jeten e tij. Nene e bir kane qene duke u mbytur ne det kur jane pikasur nga Idajeti. Ai ka nderhyre menjehere per t’i shpetuar, duke nxjerre ne breg me pare nenen dhe me pas te birin. Deti ka qene i trazuar sot ne plazhin e Spillese dhe ne lufte me dallget Idajeti ka pire uje dhe ka shfaqur probleme shendetesore. Ai eshte transportuar menjehere ne spital dhe eshte nen kujdesin e mjekeve. Forca Idajet 💪, te gjithe Vrojtuesit sot krenohen me emrin tend 🙏.

FREKUENTONI PLAZHET ME VROJTUES!

VROJTUESIT E PLAZHIT SHPETOJNE JETE!” thuhet në njoftimin e Federatës.

Top Channel