COVID-19, administrata e Biden rekomandon dozën përforcuese pas 8 muajsh

19/08/2021 03:46

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden njoftoi sot se po rekomandon personat e vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 për të marrë një dozë përforcuese të vaksinës, për të mbrojtur më mirë publikun, ndërsa varianti Delta po përhapet në të gjithë vendin.

“Duke u bazuar në vlerësimin tonë të fundit, mbrojtja aktuale kundër sëmundjeve të rënda, shtrimi në spital dhe vdekja mund të zvogëlohet në muajt e ardhshëm, veçanërisht në mesin e personave që janë në rrezik më të lartë ose janë vaksinuar gjatë fazave të hershme të fillimit të vaksinimit”, sipas një deklarate të lëshuar nga zyrtarët shëndetësorë të administratës Biden.

“Për atë arsye, ne arrijmë në përfundimin se një dozë përforcuese do të jetë e nevojshme për të maksimizuar mbrojtjen e dhënë nga vaksina dhe për të zgjatur qëndrueshmërinë e saj”, shtuan ata.

Administrata e Biden ka zhvilluar plane për të ofruar dozën përforcuese duke filluar nga java e 20 shtatorit, në pritje të një vlerësimi nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, në lidhje me efikasitetin dhe sigurinë e marrjes së një doze të tretë të vaksinave të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna.

Top Channel