“Air Albania” me tapetin e ri/ Vonesat e punimeve shtyjnë ndeshjet e kombëtares drejt Elbasanit

19/08/2021 15:29

Prej ditës së hënë ka filluar procesi i montimi të fushës me tapetin e barit hibrit në stadiumin kombëtar “Air Albania”.

Ky proces do t’i japë fund një herë e mirë problematikës kryesore që kishte ky impiant, atë të fushës, me këtë investim suplementar prej rreth 1 milion eurosh.

Punimet kanë patur një ritëm të ngadalësuar për shkak të një vonese burokratike në dogana dhe si rrjedhojë dorëzimi i fushës nga kompania turke që ka marrë përsipër instalimin e saj do të ketë edhe një afat më të shtyrë nga sa ishte parashikuar.

Pasi janë bërë edhe një herë shtresat e bazamentit, sëbashku me kanalet kulluese, po montohet tapeti i barit artificial, që shërben si një shtresë skelet ku do të mbillet bari natyral. Deri nesër specialistët deklarojnë se do të mbyllin procesin e montimit të saj e më pas do të hidhet sërish një shtresë rënë e do të mbillet bari natyral, i cili është dominues deri në masën 95% të këtij tapeti hibrid.

Do të duhen edhe rreth 25 ditë deri në dorëzimin e fushës në kushtet optimale nga firma turke që do të thotë se të dyja ndeshjet e planifikuara për t’u luajtur në “Air Albania”, ajo me Hungarinë dhe San Marinon, më 5 dhe 8 shtator, do të spostohen për t’u zhvilluar në stadiumin e Elbasanit, “Elbasan Arena”.

Ky spostim, për të cilin pritet ende zyrtarizimi bëhet edhe për të ruajtur tapetin e ri të sapomontuar dhe për të mos e dëmtuar me nxitimin e afateve.

Top Channel