Nga Adrian Shtuni, ekspert për çështjet e terrorizmit dhe sigurisë.

Komentet përbuzëse ndaj refugjateve, përhapja e stereotipeve frikësuese ndaj tyre, apo cinizmi banal që aty këtu po shfaqet në mediet sociale ditëve të fundit si reagim ndaj vendimit për strehimin e përkohshëm të një numri simbolik refugjatesh politik afganë në Shqipëri e Kosovë janë për të ardhur keq. E sa për qartësi, ata që do të strehohen aty janë përkthyes, gazetarë, gra e fëmijë, aktiviste të shoqërisë civile e jo talebanë. Por fatmirësisht këto janë zërat e një pakicë zemër e mendjengushtësh që ndoshta shpejtë e kanë harruar si në shqiptarët pak kohë më parë tejmbushnim ambasadat dhe anijet e mallrave si refugjatë. Ndoshta kemi harruar se dje të përbuzurit e paragjykuarit ishim ne.

E dyta, komentet, apo pretendimet akuzuese për “servilizëm ndaj SHBA” janë në rastin më të mirë naive e në rastin më të keq qëllimisht armiqësore. Çdo shtet serioz ka një busull vlerash dhe një strategji të mbrojtjes dhe avancimit të interesave themelore kombëtare. Këto interesa kombëtare të përhershme, apo hapat që ndërmerren për t’i çuar ato përpara, shkojnë përtej çdo individi apo filan politikani, kryeministri, apo presidenti të përkohshëm. Shtetet e Shqipërisë dhe Kosovës në këtë rast treguan lidership moral e dhembshuri njerëzore shembullore. Në të njëjtën kohë konfirmuan se janë partnerë të besueshme të SHBA-së. Të dyja këto janë për t’u përshëndetur pa rezerva, pavarësisht ku qëndrojmë politikisht.

Kuptohet se as Shqipëria e as Kosova nuk i kanë kapacitetet që të ofrojnë ndihmë të pakushtëzuar kurdo e për këdo thjesht në bazë të nevojës humanitare në botë. Logjika kërkon që mundësitë reale për të dhënë ndihmë humanitare të harmonizohen me interesat kombëtare. Ky nuk është asesi servilizëm politik por qasje strategjike. Përndryshe, për hir të qasjeve absolutiste, ose duhet që Shqipëria e Kosova të mbyllin kufijtë e të izolohen nga të gjithë e gjithçka, ose duhet t’i heqin kufijtë tërësisht e të pranojnë gjithkënd e kurdo. Të dyja do të ishin skenare absurde.

Urime edhe një herë Shqipërisë dhe Kosovës për frymën humanitare dhe maturinë strategjike që po tregojnë!

 

 

 

 

 

Top Channel