Digjen pyjet në Prrenjas/ Në zonën e Rrajcës flakët janë në një zonë të thellë

18/08/2021 15:16

Një sipërfaqe e konsiderueshme pyll ahu në Rrajcë të Prrenjasit është përfshirë nga flakët pasditen e së martës, zjarr i cili vazhdon ende.

Në një terren të vështirë malor ku është e pamundur ndërhyrja me mjete, e gjtihë puna për fikjen e zjarrit po bëhet me mjete rrethanore, por duket se era po favorizon përhapjen e flakëve.

Ekipi i zonave të mbrojtura, zjarrfikëset e Prrenjasit dhe Elbasanit, por edhe banorë të zonës po luftojnë me flakët. Zjarri është vlerësuar i qëllimshëm dhe është kërkuar vënia para përgjegjësisë e autorëve të cilët janë identifikuar tashmë nga policia.

Një pjesë e pyjeve të ahut në këtë zonë janë shpallur pasuri ndërkombëtare Unesco. Fatmirësisht flakët ende nuk kanë mbërritur në këtë zonë. Në fshatin Fatish të Peqinit u dogjën 50 hektarë ullishte dhe shkurre. 200 rrënjë ullinj shekullore dhe fidanë të rinj u shkrumbuan.

Zjarri i cili rrezikoi edhe shtëpitë u vu nën kontroll nga zjarrfikësit e Peqinit, të ndihmuar edhe nga Elbasani e Rrogozhina. 4-5 vatra zjarri regjistrohen cdo ditë në qarkun e Elbasanit, shumica e të cilëve janë vënë nën kontroll menjëherë pa pasoja të mëdha.

Top Channel