“Serbia ta njohë Kosovën”, kryeministri Albin Kurti mesazh nga Parisi drejtuesve të ardhshëm në Beograd Kryeministri Albin Kurti është deklaruar rreth çështjes së strehimit në Kosovë të refugjatëve nga Afganistani. Kurti ka thënë se përveç aspektit të solidaritetit, strehimi i tyre është edhe dimension i aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë aleati kryesor e partneri strategjik i pazëvendësueshëm për Kosovën.
“Ne i kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin kryesor dhe partnerin strategjik të pazëvendësueshëm dhe çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë e ka gjithashtu edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se ka një muaj që Qeveria e Kosovës është në komunikim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth kësaj çështjeje, për çka tha se janë caktuar ekipe që po merren me strehimin e tyre në Kosovë.
“Ka një muaj që Qeveria e Republikës së Kosovës është në kontakt, komunikim dhe bashkëpunim të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të përgatitur në aspektin organizativ., logjistik, teknik por edhe të sigurisë e social strehimin dhe mbrojtjen e një numri të refugjatëve nga Afganistani. Ne jemi shtet serioz dhe tash e një muaj këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe me shumë kujdes meqenëse çështja e refugjatëve nga Afganistani është jo vetëm një çështje e dhimbshme njerëzore por edhe një çështje e ndjeshme e sigurisë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë para mediave se hollësitë e strehimit dhe mbrojtjes së refugjatëve nga Afganistani janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shifrat, kohëzgjatja dhe vendi i strehimit do të bëhen të ditura.
Top Channel