PSG nuk heq dorë nga Pogba, gati një pagë faraonike nëse vjen me zero

16/08/2021 21:28

Paul Pogba e nisi sezonin si një “violinë që luan një muzikë” të mrekullueshme.

Në fitoren 5-1 të Manchester United përballë Leeds, francezi nuk e shënoi emrin në listën e golave të realizuar, por dhuroi plot 4 asiste, ose vetëm 1 asist më pas se sa gjithë edicionin e shkuar të Premier Leagues.

Parashikohej që me nisjen e kampionatit zërat e merkatos rreth 28-vjeçarit të vinin duke u zhdukur, por ajo që shkruan “The indidpendent” nëse ka vërtetë baza meriton të evidentohet.

Sipas medias së njohur angleze, PSG është i gatshëm t’i ofrojë futbollistit 600 mijë paund në javë nëse ai vendos që sot që në verën e vitit 2022 të kalojë tek parizienët.

Pogba ka hyrë tashmë në sezonin e fundit të kontratës së tij me Manchesterin dhe për momentin futbollisti dhe përfaqësuesi i tij Raiola ende nuk kanë gjetur pikën e përbashkët me klubin anglez për të rinovuar kontratën.

Nëse Pogba nuk nënshkruan, atëherë mund të largohet si një futbollist i lirë në verën e 2022. 600 mijë paundët në javë që ofron PSG përkthehen në një pagë vjetore prej 35.2 milion eurosh.

Një shifër vërtetë e lartë, por që sheikët e klubit francez nuk do të hezitojnë ta paguajnë për një lojtar te cilin prej kohësh e kanë në planet e tyre.

Kujtojmë që në merkaton aktuale, PSG afroi me parametër 0, yje si Messi, Ramos, Donnaruma e Wijnaldum, të njëjtën rrugë do të kërkojë të ndjekë edhe me Pogban në vitin 2022.

Top Channel