Policia e Durrësit ka vënë nën pranga tre persona.
Njëri prej tyre u kap me kanabis në automjet, një tjetër tentoi të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara, e ndërsa një 66-vjeçar aksidentoi një të mitur i cili po lëvizte me biçikletë, e më pas është larguar nga vendngjarja.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve për rritjen e parametrave të sigurisë në qytet dhe kapjen e atyre personave që lëvizin me sende të kundraligjshëm me vete, kanë ndaluar për kontroll në lagjen nr.13, Durrës, një mjet tip “Benz”. Gjatë kontrollit të kryer nga shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 22 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, arrestuan në flagrancë shtetasen J. H., 41 vjeçe, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në PKK Port, Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin N. K., 66 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr.17, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, ka aksidentuar dhe më pas është larguar nga vendngjarja, shtetasin e mitur H. N., 15 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë. 15- vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel