Greqia vazhdon të regjistrojë numër të lartë infektimesh ditore me koronavirus dhe prej fillimit të gushtit numëron mbi 37000 raste dhe 210 humbje jete. Në 24 orët e fundit pas 120000 testesh pati përsëri 3500 të prekur , numri i te intubuarve u rrit në 235 dhe po ashtu edhe numri i viktimave në 24.
Në kulmimin e sezonit turistik dhe presionit në rritje mbi ishujt ka një shqetësim të madh nga ana e specialistëve për situatën epidemiologjike që do krijohet në vjeshte pas kthimit të banorëve në qendrat urbane.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se mund të vazhdojnë të vendosen karantinat lokale si ato që tashmë janë ende në fuqi në Hania dhe Iraklio të Kretës.
Në ishull vërehet javët e fundit rritje e jashtëzakonshme e barrës epidemiologjike , ndërsa spitalet janë me kapacitet thuajse 100% sa i përket dhomave të të intubuarve .
Shqetësim ka edhe për ishujt e tjerë turistike të Greqisë si Naxos, Paros, Rodos, Hios dhe Mykonos.
Ekspertët thuajse çdo ditë bëjnë thirrje tek qytetarët për tu vaksinuar, pasi vërtet varianti Delta shpërndahet me shpejtësi të madhe dhe ka rritur numrin e të prekurve, por në sajë të vaksinimit numri i vdekjeve është kaq i ulët.
Sipas tyre në nëntorin e kaluar kur Greqia shënonte të njëjtin numër rastesh , ka pasur gati 100 humbje jete në dite, kurse tani ka pesë herë me pak.
Problematike e madhe krijohet gjithashtu nga hapja e shkollave në 13 shtator dhe thuhet se është në të mirën e të gjithëve që të kryejnë teste sapo të kthehen nga pushimet, madje edhe të vaksinuarit.
Kjo së bashku me zbatimin e protokolleve të rrepta do të ndihmojë që askush brenda shkollave të mos jete i infektuar, përndryshe do të këtë përhapje të madhe të virusit.
Top Channel