“Open Balkan”, nisma që ka krijuar shumë zhurmë edhe përtej kufijve më shumë se politike, është një projekt me përfitim ekonomik .
I këtij mendimi është zv.ministri i Financave Besart Kadia, sipas të cilit projekti është në dobi të qytetarëve e bizneseve të secilit vend pjesëmarrës dhe do të rrisë mundësitë e zhvillimit të tregjeve të reja.
Por, sa përfiton Shqipëria përmes saj dhe kush janë sektorët potencialë që mund të zhvillohen më tej?
“Gjithë synimi i saj është të kemi një tregti të paanshme, efikase e cila ndihmon në lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve drejt këtyre vendeve. Ndër avantazhet e Shqipërisë padyshim që është turizmi, pasi lehtësimi, liria dhe vullneti politik kanë bërë të rritet fluksi si këtë vit nga turistë maqedonas apo serbë. Për të parë nëse do ketë apo jo shkëmbime tregtare në rritje duhet parë ajo që është më e rëndësishmja është të krijohet ndërlidhja e investimeve potenciale në prodhim midis vendeve të Ballkanit”, tha Besart Kadia, zv.ministër Financave dhe Ekonomisë.
Sipas zv.ministrit Kadia, zbatimi me sukses i kësaj nisme që synon rritjen e ndërveprimit në Ballkan duke lehtësuar kushtet e të bërit tregti e jo vetëm, na përafron më tej me direkativat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
“Praktikisht ne po ushtrojmë atë çfarë do jenë 4 liritë që do kemi me Bashkimin Ekonomik dhe po mundohemi ti zbatojmë në vendet e rajonit. Hequr diskutimet politike, ky është një proces i cili është krejtësisht në avantazh të qytetarëve të vendeve pjesëmarrëse.”
Nisma përfshin deri më tani Shqipëri-Maqedoni e Serbi, teksa mbeten jashtë Mali i Zi, Bosnje Hercegovina e Kosova, që është edhe partneri kryesor tregtar i Shqipërisë me mbi 215 milionë euro mallra të eksportuara drejt saj në 2020-ën.
Më pak të zhvilluara marrëdhëniet tregtare janë Maqedoninë e Veriut e Serbinë eksportet drejt të cilave vitin që lamë rezultuan përkatësisht 8.8 dhe 6.2 miliardë lekë mallra.
Top Channel