Klopp: Liverpool ka kufizime, megjithatë nuk i fshehim ambiciet

14/08/2021 11:53

Në “fytyrën” e Liverpoolit këtë sezon ka ndryshuar vetëm diçka: Jurgen Klopp nuk mban më syze.

Megjithatë kjo është e reja e vetme në tre vitet e fundit dhe natyrisht që tifozëve në “Anfield Road” nuk u pëlqen aspak një fakt i tillë.

Teksa Manchester City me Jack Grealish, Chelsea me Lukakun dhe Manchester United me Jadon Sanchon shpenzuan përkatësisht 118, 115 dhe 85 milionë euro, “the reds” u mjaftuan vetëm me afrimin e mbrojtësit Ibrahima Konate për 40 milionë euro nga Leipzig.

Asgjë më shumë për të bërë për klubin nga “Anfield Road”, që natyrisht vuan efektet e pandemisë, megjithatë trajneri Jurgen Klopp pranon se nuk është aspak i habitur që klubet e tjera vijojnë të shpenzojnë pa kufi.

“Nuk jam i habitur nga shpenzimet, pasi e di mirë që kufizimet e pandemisë nuk ndikojnë në klube si Manchester City, Chelsea e PSG, të cilat kanë burime të tjera të ardhurash. Pak dyshime kam vetëm për Manchester United, pasi nuk e di si ia bëjnë të përballojnë shpenzime të tjera. Ne te Liverpool jemi të kufizuar, pasi mund të shpenzojmë vetëm ato që fitojmë dhe për shkak të pandemisë kemi fituar pak vitet e fundit. Edhe me Konate e kemi tepruar disi me shpenzimin, por vitin e fundit vuajtëm jo pak në qendër të mbrojtjes dhe nuk donim të gjendeshim sërish të papërgatitur. Klubet që kanë shpenzuar shumë, nuk kanë kufizime, ndërsa ne kemi pasur e kemi, por sërish ia kemi dalë të jemi të suksesshëm”, u shpreh Klopp.

E nëse në merkato “the reds” kanë lëvizur shumë pak, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për rinovimet, pasi drejtuesit e Liverpool kanë blinduar me kontrata të reja afatgjata të gjithë futbollistët e rëndësishëm të skuadrës.

“Ne mbajmë ekipin të bashkuar dhe kemi rinovuar thuajse me të gjithë, pasi edhe këtë e shohim si një aspekt mjaft të rëndësishëm. Skuadrat e tjera i kanë zili lojtarët tanë dhe u duhen shumë para për t’i blerë, ndërsa ne i kemi tashmë dhe duhet vetëm t’i shtrëngojmë fort. Sigurisht që blerjet e reja janë më emocionuese për tifozët, por edhe kur nuk bën merkato, nuk do të thotë se nuk punohet. Chelsea dhe dy Manchesterët nuk e kanë fshehur ambicien e tyre për të fituar titullin dhe sigurisht që nuk do të fshihemi as ne, pasi kemi organikën për të bërë mirë”, deklaroi trajneri gjerman.

 

Top Channel