U-19/ Shqipëria tregon nivel, por mposhtet minimalisht nga Italia

13/08/2021 18:49

Shqipëria U-19 zhvilloi mesditën e sotme miqësoren me Italinë, në Coverciano, në kuadër të përgatitjeve që skuadra kuqezi e drejtuar nga Armando Cungu është duke zhvilluar për eliminatoret e Kampionatit Europian, që do të zhvillohen në muajin nëntor.

Ndeshja u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të vendasve, me golin e De Nipotit në minutën e 13-të, që erdhi pas një gabimi në vendosje nga ana e mbrojtjes kuqezi. Ndeshja, sipas informacionit që jep FSHF-së, në fund u dominua nga skuadra Cungut, që krijoi 4 raste për shënim si dhe goditi shtyllën me Henri Nergutin, por pa arritur të ndryshojë rezultatin.

Pjesa e parë nisi e qetë me të dy skuadrat që studiuan lojën e njëra-tjetrës. Italia u bë më kërkuese dhe arriti ta gjente golin minutën e 13-të pasi shfrytëzoi një gabim të rëndë në mbrojtjen kuqezi dhe De Nipoti finalizoi në mënyrën më të mirë.

Shqipëria reagoi dhe iu afrohet në mënyrë të vazhdueshme e kërcënuese portës kundërshtare. Në minutën e 32-të Henri Nerguti godeti me kokë dhe topi, me portierin e mundur, u përplas në shtyllë. Një tjetër rast për gol erdhi në minutën e fundit të pjesës së parë me Toçin, që nuk finalizoi në mënyrën më të mirë.

Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Cungu u dha mundësinë 8 lojtarëve të tjerë të aktivizohen dhe për të ndryshuar rezultatin e ndeshjes, duke parë që paraqitja në fushë ishte pozitive, me skuadrën që vazhdonte të kishte lojën në kontroll dhe në shumë momente ishte superiore ndaj kundërshtarit, duke pretenduar edhe në dy momente për penallti.

Përtej ndryshimeve në formacion, rezultati nuk ndryshoi dhe gjithçka u mbyll në favor të Italisë me rezultatin 1-0.

Përgatitjet e kuqezinjve të Armando Cungut për “Qualifying Round” do të vazhdojnë në fund të muajit gusht, ku skuadra do të grumbullohet për dy ndeshje miqësore që do të luajë në shtëpi ndaj Izraelit U-19. Kombëtarja jonë në eliminatore është shortuar në Grupin 7, së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndeshjet do të luhen në Shqipëri në datat 10, 13 dhe 16 nëntor.

Itali U-19 – Shqipëri U-19 1-0

Formacioni i Shqipërisë U-19: Kacaj (Tozaj 46’), Dervishi (Greca 84’), Bytyҫi (Spahija 84’), Preka (C), Zalli, Zenelaj, Mata (Bibo 68’), Nerguti (Pjeshka 54’), Toҫi (Shpuza 84’), Qefalia (Preloshi 84’), Shpendi (Dragaj 46’).

Trajner: Armando Cungu

Top Channel