Procedohen penalisht dy persona në Berat, akuzohen se dogjën me zjarr sipërfaqe të ndryshme toke

13/08/2021 09:49

Dy persona janë proceduar penalisht në Berat sepse dogjën me zjarr sipërfaqe të ndryshme toke me bimësi.

Një 28-vjeçar i identifikuar me inicialet A.K., banues në Berat, u procedua penalisht pasi në vendin e quajtur mali Partizan, ka shkaktuar zjarr nga pakujdesia duke hedhur një cigare të ndezur në tokë dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.

Ndërsa shtetasi B. Sh., banues në Berat, u procedua penalisht pasi në lagjen “Donika Kastrioti”, ka shkaktuar zjarr nga pakujdesia dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me barë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Top Channel