Kryegjyshi Botëror pret delegacionin e “Hedayah”, ja cili ishte fokusi i takimit

13/08/2021 11:45

Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj priti në selinë e shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, delegacionin e Qendrës Ndërkombëtare të përsosmërisë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm “Hedayah” të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Delegacioni u kryesua nga Ali Rasheed Al Nuaimi, kryetar i grupit parlamentar të çështjeve të mbrojtjes, punëve të brendshme dhe të jashtme të Këshillit Kombëtar Federativ.

Fokusi kryesor i takimit ishte rritja e bashkëpunimit të mëtejshëm midis Kryegjyshatës Botërore, Këshillit Ndërfetar dhe kësaj qendre në fushën e sigurisë dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Kryegjyshi duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe shumë të mira midis dy vendeve tona shprehu mundësinë e bashkëpunimit në çështjen e sigurisë, ku theksoi se takimet e vazhdueshme dhe dialogu i shpeshtë janë instrumente efektivë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, të cilat ndikojnë në mirëkuptimin për çështje të ndryshme.

Gjithashtu Dede Edmond Brahimaj nënvizoi rëndësinë që ka parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm, si një investim jetik për paqen dhe sigurinë duke sqaruar se legjislacioni shqiptar dhe politikat aktive të qeverisë shqiptare kanë ndihmuar dhe do të ndihmojnë në aspektin parandalues të luftës kundër radikalizmit dhe  ekstremizmit të dhunshëm.

Gjithashtu shtoi se puna në Shqipëri për të parandaluar shkaqet e terrorizmit është përqendruar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në parandalimin e rekrutimit dhe radikalizmit që con në terrorizëm, ku puna e komuniteteve fetare është një faktor kyc.

Midis të tjerave në takim kryegjyshi foli për krijimin e KNFSH, bordet ekzekutiv, ndihmat humanitare, projekti i fundit me GCERF dhe për çdo program apo projekt në luftën kundër ekstremizmit. Presidenti i qendrës Hedayah prezantoi fushën e veprimtarisë së qendrës, e cila në fokus kryesor ka asistencën në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm duke ofruar ekspertizën e kësaj qendre në këtë fushë.

Top Channel