Dhunë në familje, kultivim kanabisi dhe tregtim mallrash kontrabandë/ Arrestohen 2 persona në Durrës, 1 shpallet në kërkim

13/08/2021 10:22
Foto ilustruese

Dy persona janë arrestuar nga policia e Durrësit ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Të dy të arrestuarit akuzohen për dhunë në familje. Njëri prej tyre, 44 vjeç, i identifikuar me inicialet F.R, banues në Durrës, akuzohet pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Ndërsa M. T., banues në fshatin Borizanë, Krujë, sepse pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me sende të forta vëllain e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë bënë shpalljen në kërkim të shtetasit B. V., 52 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke në pronësi të tij, të mbjellë me prodhime bujqësore, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimit Financiar-Ekonomik në DVP Durrës, në bashkëpunim me strukturat doganore Durrës, proceduan penalisht për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasin A. Sh., 38 vjeç, banues në Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në marketin e tij në Fushë Krujë, u gjet një sasi kafeje kontrabandë.

Top Channel