Deputetët munguan në seanca/ Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës, gjobiten nëse nuk kanë arsye

13/08/2021 16:33

Deputetët e Kuvendit të Kosovës munguan 440 herë në seanca plenare gjatë sesionit pranveror i cili u mbyll të enjten.

Dukuria negative sipas Institutit Demokratik i Kosovës po përsëritet edhe në legjislaturën e tetë, ndaj kërkohet që me anë të rregullores së re të Kuvendit të gjobiten ata që mungojnë pa arsye.

Në raportin e publikuar nga KDI mbi punën e kuvendit të Kosovës në 23 seanca për katër muaj, vlerësohet se numri i ligjeve të miratuara ishte i ulët.

“Ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara, vetëm shtatë sosh. Në krahasim me dhjetë ligjet e martuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit deri në përfundim të sesionit janë proceduar 29 projektligje, prej të cilave 7 janë miratuar, ndërsa 22 të tjera janë në procedurë të shqyrtimit nga komisionet parlamentare.

Në anën tjetër, qeveria ka dështuar të përmbush planin e saj legjislativ, duke dorëzuar vetëm 27 projektligje nga 65 sa kanë qenë të parapara në periudhën prill-gusht.

Kërkuesja e KDI, Agnesa Haxhiu tha se shumica parlamentare duhet të ndërtojë një bashkëpunim më të madh me opozitën në Kuvend. KDI rekomandon që mazhoranca dhe opozita duhet të gjejnë një gjuhë bashkëpunuese, sidomos për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi deri në fund të këtij viti janë parashikuar të shqyrtohen 14 të tilla”.

Si element pozitiv të këtij sesioni, vlerësohet përmirësimi i rolit mbikëqyrës të ekzekutivit, përmes parashtrimit të pyetjeve parlamentare.

Top Channel