Merkatoja është futur në 20-ditëshin e saj të fundit, megjithatë tifozët e Realit të Madridit janë jo pak të zhgënjyer për lëvizjet që ka bërë klubi deri në këto momente, pasi deri tani nuk ka ardhur asnjë futbollist që të zgjojë entuziazmin e kryeqytetasve.
Pas divorcit me Zinedine Zidane, Florentino Perez vendosi t’ia besojë pankinën italianit Carlo Ancelotti, një trajner me mjaft eksperiencë dhe njëkohësisht njohës i mirë i ambientit madrilen, pasi e ka drejtuar ekipin edhe në periudhën 2013-2015.
Sezoni për madrilenët starton të shtunën në mbrëmje me transfertën ndaj Alavesit, megjithatë pasiguritë e tifozëve për ecurinë e skuadrës janë të shumta, pavarësisht deklaratave qetësuese të trajnerit Ancelotti.
Kjo pasi nga skuadra janë larguar dy qendërmbrojtësit titullarë Sergio Ramos e Raphael Varane, pasi me të parin nuk u rinovua kontrata dhe francezi iu bashkua anglezëve të Manchester United para pak ditësh.
E kotë ta fshehësh boshllëkun që kanë lënë dy futbollistët, pasi me ta në formacion “Los Blancos” kanë triumfuar 4 herë në Ligën e Kampionëve që prej vitit 2014, ndërsa Ancelotti pritet t’ia besojë udhëheqjen e repartit afrimit më të bujshëm të kësaj vere, austriakut David Alaba.
Ky i fundit do të luajë me brazilianin Eder Militao në krah dhe ka eksperiencën e duhur për të udhëhequr repartin, por pas shumë vitesh te Bayerni i Mynihut, mbetet për t’u parë sa do të arrijë të përshtatet me një kampionat tjetër dhe shokë të tjerë skuadre.
Problematika disi më të vogla ka edhe në mesin e fushës, pasi sezonin e fundit Luka Modriç zbriti në fushë në plot 48 ndeshje, por me 36 vite mbi supe, vështirë se mund të përsëritë një tjetër vit impenjativ dhe me ngarkesë të lartë.
Gjithsesi në këtë repart Ancelotti ka tashmë titullarët e tij, që janë Casemiro, Kroos e Valverde, me të rinjtë Ceballos e Odegaard gati për të rrëmbyer një fanellë titullari, ndonëse do t’u duhet shumë punë për të bindur trajnerin italian.
Në sulm mund të vijë edhe goditja e bujshme e merkatos, pasi madrilenët vijojnë të “ëndërrojnë” për blerjen e francezit Kylian Mbappe, i cili shihet si një investim ideal jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen, pasi ka vetëm 22 vite mbi supe.
Perez punon prej kohësh për ta marrë në “Santiago Bernabeu” sulmuesin që ka kontratë deri në verën e ardhshme me PSG-në, por këta të fundit nuk kanë ndërmend ta lëshojnë dhe i kanë propozuar një rinovim me shifra të larta, për të bërë një sulm ëndrrash bashkë me të, Messin e Neymar.
Sezonin e kaluar barrën e shënimit të golave e mbajti sërish francezi Karim Benzema, që i vetëm e ka të vështirë të udhëheqë skuadrën drejt trofeve, pasi brazilianët Vinicius e Rodrygo janë vërtetë të talentuar, por nuk kanë eksperiencën e duhur për t’u përballur me kundërshtarë të nivelit të lartë.
Në rast dështimi të transferimit të Mbappe, Ancelotti do të duhet të shpresojë në një shpërthim të Eden Hazard dhe Gareth Bale, dy futbollistë me eksperiencën dhe cilësitë e duhura për të mbajtur klubin në nivelet më të larta, por që deri tani nuk kanë arritur të lënë gjurmë me fanellën e Realit të Madridit.
Top Channel