Dera e burgut 313 e izoluar

Pas tentativës për arratisjen e Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit janë vënë masa shtesë në burgun “313” në Tiranë.

Veç derës së hekurit të bllokuar, hapësira sipër gjithashtu është izoluar.

Çekaj dhe Pjetri tentuan të arratiseshin nga burgu disa ditë më parë duke përdorur litar të formuar nga çarçafët e shumtë, por dështuan. Madje kur u pikasën nga oficeri i burgjeve, i cili dha alarmin për tentativën e arratisjes, Pjetri e qëlloi me çengel.

Çekaj i dënuar me 14 vite burg dhe Pjetri i dënuar me 30 vite burg u ndaluan pak metra larg portës, pikërisht në oborrin mes zyrave të administratës dhe qelive, muret e të cilëve gati 11 vjet më parë u kapërcyen nga i riu Ajet Marku që sfidoi burgjet dhe jetoi në arrati për tre vitet e mëpasshme.

Tentativa e dytë e dështuar falë kujdesit të një oficeri ka sjellë një analizë të detajuar në burgje, të cilat po vlerësojnë kushtet e sigurisë në 313, brenda të cilit gjendet edhe 41 bis.

Gjithashtu në burgun 313 janë vënë në hetim 8 efektivë për shpërdorim detyre, të cilët dyshohet se kanë gisht në tentativën e dy të paraburgosurve.

Top Channel