Wizz Air sjell avionin e 6-të në TIA/ Fluturimet direkte në 4 destinacione të tjera. Shefqet Kastrati shpjegon marrëveshjen

11/08/2021 19:56

Wizz Air, linja ajrore me rritjen më të shpejtë në Europë, njoftoi vendosjen e avionit të 6-të në bazën e saj në Tiranë. Avioni i ri do t’i bashkohet flotës së Wizz Air me bazë në Tirana International Airport (TIA), duke mundësuar fillimin e fluturimeve direkte nga Tirana drejt Liverpulit (Mbretëria e Bashkuar), Madridit (Spanjë), Billundit (Danimarkë) dhe Oslo Sandefjord Torp (Norvegji), si edhe shtimin e frekuencave të destinacioneve ekzistuese të linjës ajrore: Ankona, Verona, Luton, Bruksel, Paris, Berlin, Hamburg, Memingem.

Shefqet Kastrati, President i Kastrati Group: Vendosja e avionit të 6-të të Wizz Air është një partner strategjik i joni duke i ofruar qytetarëve çmime më të lira në 29 destinacione aktualisht dhe deri në fund të vitit do shkojë në 34. Gjej rastin të falenderoj të gjithë stafin, punuan gjashtë muaj dhe i kthyer e rikthyen të gjitha linjat dhe shumë linja të tjera me tarifa më të ulëta seç janë. Çdo ditë po na ofrohen kompani më të mirat në botë që duan të lidhin kontrata me ne që do fillojë me riparimin e pistës, me shtimin e parkingjeve, me shtimin e terminalit që do jetë saç është terminali. Aeroporti ndihmon ekonominë, biznesin, turizmin, i ndihmon të gjitha.

Robert Carey, President i Wizz Air Group: Kam kënaqësinë të njoftoj zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të Wizz Air në Shqipëri duke shtuar avionin e gjashtë në bazën tonë në Tiranë. Me këtë njoftim ne po shtojmë katër destinacione të reja emocionuese nga Tirana drejt Liverpulit në Mbretërinë e Bashkuar, Madridit në Spanjë, Billundit në Danimarkë dhe Oslo Sandefjord Torp në Norvegji. Ne jemi të bindur se tarifat ultra të ulëta të Wizz Air dhe rrjeti i shkëlqyeshëm i destinacioneve do ta bëjnë udhëtimin të përballueshëm edhe për më shumë pasagjerë. Avionët tanë modernë, si dhe masat tona të shtuara mbrojtëse, do të sigurojnë kushtet më të mira të mundshme shëndetësore për udhëtarët, ndërsa operojmë me gjurmën më të ulët mjedisore. Ne mezi presim të mirëpresim udhëtarët në bord me një shërbim të shkëlqyeshëm.

Flota e Wizz Air me 6 avionë dhe me 4 destinacione shtesë duke filluar nga muaji Dhjetor 2021 do të vazhdojë të operojë me tarifa të ulëta që lidhin Shqipërinë me pjesën tjetër të Europës. Wizz Air e lidh tashmë Tiranën me 34 destinacione të Europës. Historia e Wizz Air në Shqipëri daton para katër viteve ku fluturimi i parë u ul në Prill të vitit 2017 nga Budapesti. Nderkaq Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po arrin një numër të madh pasagjerësh dhe rritja po vazhdon edhe në kohët e vështira të pandemisë. Në korrik, numri i pasagjerëve arriti numrin më të lartë në krahasim me vitin 2019, një vit para kufizimeve të udhëtimit për shkak të COVID-19, një rritje prej 10 përqind më shumë.

Top Channel