Gjykata vendosi të lejë në burg Arbër Çekajn, Fatmir Pjetrin dhe Lulëzim Çepelen pas seancës të ditës së sotme.

Pjetri ka pohuar para trupës se ai është fajtori për tentativën e arratisjes, ndërsa Çepele tha se tentoi të vriste veten sepse ishte në gjendje të rënduara psikologjike.

Çepele: Nuk kam lidhje ne arratisjen, desha të vras veten në orën 2 për shkak të rëndesës psikologjike, kushteve të familjes dhe ngaqë më kanë vrarë një nip.

Pjetri: S’’ka lidhje as Çekaj as Çepele, çdo gjë është plani im.

Arbër Çekaj, i dënuar për trafik droge dhe Fatmir Pjetri, i dënuar për disa vjedhje dalin të buzëqeshur para gjykatës.

Ata kanë dalë për tu njohur me masën e sigurisë, veç izolimit dhe burgut që kanë mbi kurriz. Para gjykatës ka dalë edhe bashkëpunëtori i tyre Lulzim Cepele që u përfshi në arratisje sepse improvizoi vetëvrasje duke prerë damarët e dorës.

Para disa ditësh, Çekaj dhe Pjetri tentuan të arratiseshin nga burgu duke përdorur litar të formuar nga çarçafët e shumtë, por dështuan. Madje kur u pikasën nga oficeri i burgjeve, i cili dha alarmin për tentativën e arratisjes, Pjetri e qëlloi me çengel.

Çekaj i dënuar me 14 vite burg dhe Pjetri i dënuar me 30 vite burg u ndaluan pak metra larg portës, pikërisht në oborrin mes zyrave të administratës dhe qelive, muret e të cilëve gati 11 vjet më parë u kapërcyen nga i riu Ajet Marku që sfidoi burgjet dhe jetoi në arrati për tre vitet e mëpasshme. Tentativa e dytë e dështuar falë kujdesit të një oficeri ka sjellë një analizë të detajuar në burgje, të cilat po vlerësojnë kushtet e sigurisë në 313, brenda të cilit gjendet edhe 41 bis.

Hap pas hapi/ Si tentuan të arratiseshin

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha siguroi pamjet hap pas hapi të tentativës për arratisje. Në orën 15:00 u hapen dyert e qelisë dhe prej andej del me një çantë në dorë Fatmir Pjetri.

Por ai nuk kontrollohet dhe e njëjta shkelje kryhet edhe me Arbër Çekajn i cili drejtohet për në tarracë, nga ku brenda tetë minutash tentuan të arratisen.

Fatmir Pjetri dhe Arbër Çekaj kapërcejnë kufizimin e vendit të ajrimit duke u varur nëpër shkallë në zyrat e administratës.

I dënuari Fatmir Pjetri zbret në sheshpushim dhe pas përleshjes së bashku me Çekajn drejtohet për tek porta kryesore e burgut , aty ku përleshja mes tyre dhe tre policeve të tjerë është e dukshme. Ata janë vetëm tre hapa larg lirisë, por ky plan u dështon.

Kamerat tregojnë se në orën 15.11 pasi janë prangosur Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri kthehen në ambientet e qelive.

FOTO GALERI
2/18

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA