Kultivim kanabisi dhe armë pa leje në shtëpi/ Vihen në pranga 2 persona, një nën hetim

11/08/2021 11:14
Foto ilustruese

Dy persona janë vënë në pranga dhe një tjetër nën hetim në Lezhë gjatë 24 orëve.

Policia vuri në pranga M. M., 47 vjeç, banues në fshatin Torovicë, pasi mbante armë zjarri pa leje në banesë.

Gjithashtu u arrestua D. D., 35 vjeç, banues në fshatin Sukagji, pasi ishte shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit.

Ndërsa K. H., 20 vjeç u vu nën hetim pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në Shëngjin, kanë gjetur dhe sekuestruar doza me lëndë narkotike.

Njoftimi i policisë DVP Lezhë

Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 2 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër. Sekuestrohen një armë zjarri me krehër me fishekë dhe doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. M., 47 vjeç, banues në fshatin Torovicë, Lezhë, pasi mbante armë zjarri pa leje në banesë. Nga shërbimet e Policisë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit automatik, me krehër me fishekë.  Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë ndalimin e shtetasit D. D., 35 vjeç, banues në fshatin Sukagji, Lezhë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor, pasi dyshohet si autor i tentativës për kultivim të bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, Lezhë. Nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Lezhë u procedua penalisht shtetasi K. H., 20 vjeç, banues në Lezhë. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në Shëngjin, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.  Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel