Eksperiencë, talent dhe alternativa, te Man. United ëndërrojnë sërish

11/08/2021 10:24

Alex Fergusson e mbylli karrierën e tij si trajner në verën e 2013-ës, pas 27 vitesh në pankinën e Manchester United dhe bashkë me largimin e tij, mori fund edhe lavdia e “djajve të kuq” që në 8 sezonet e ardhshme kanë ndërruar shumë trajnerë e lojtarë, por kanë njohur shumë pak suksese.

Prej më shumë se 18 muajsh, drejtimi i klubit i është besuar një emri si Solskjaer, që ka lënë gjurmë me fanellën e “djajve të kuq” si futbollist dhe tani është gati të bëjë të njëjtën gjë edhe si trajner, pasi sezonin që lamë pas dërgoi skuadrën në finalen e Europa Leagues dhe njëkohësisht e mbylli kampionatin në vendin e dytë të renditjes.

Këtë verë drejtuesit e klubit kanë lëvizur mjaft mirë në merkato, duke sjellë në “Old Trafford” dy emra të bujshëm si Raphael Varane dhe Jadon Sancho, të cilët pritet të zënë vend në formacionin e Man. United dhe të shtojnë ndjeshëm forcën e skuadrës në fushë.

Rikthimi te suksesi duket gjithmonë e më pranë në “Teatrin e Ëndrrave”, pasi me afrimet e fundit në merkato, të gjithë besojnë se skuadra do të jetë shumë më e fortë këtë sezon dhe do të provojë të ngrejë sërish lart titullin kampion, trofe që për herë të fundit e ka fituar pikërisht në sezonin e fundit të Fergusson, më 2013-ën.

Edhe emrat në organikën e Solskjaer duken vërtetë bindës e konkurrues, duke nisur që nga porta, ku David De Gea dhe Dean Henderson do të vijojnë betejën me njëri-tjetrin dhe sulmuesit kundërshtarë, për të mbajtur të paprekur rrjetën e ‘djajve të kuq”.

Në mbrojtje forcës fizike të Harry Maguire, do t’i shtohet tashmë edhe shpejtësia e Raphael Varanje, një mbrojtës ekspert që ka fituar shumë në karrierën e tij me Francën dhe sidomos me Realin e Madridit. Në krah është konfirmuar Luke Shaw në krahun e majtë, me anglezin që prej kohësh ka rritur ndjeshëm nivelin e tij dhe këtë e konfirmoi edhe në Euro 2020, ndërsa në krahun tjetër për momentin është Wan-Bissaka, por drejtuesit mund të sjellin edhe anglezin tjetër Kieran Trippier, i cili ka kërkuar zyrtarisht largimin nga Atletico e Madridit.

“Thembra e Akilit” për formacionin e Solskjaer mbetet shkatërruesi, pasi Fred e McTominay nuk janë shumë të besueshëm para mbrojtjes, ndaj tekniku norvegjez u ka kërkuar drejtuesve që të provojnë afrimin e njërit mes Declan Rice dhe Wilfrid Ndidi, të cilët po bëjnë mjaft mirë në skuadrat përkatëse dhe kanë një vlerë prej rreth 60 milionë eurosh, para që “djajtë e kuq’ shpresojnë t’i arkëtojnë nga shitja e futbollistëve që nuk bëjnë pjesë në planet e klubit.

Megjithatë plani B i trajnerit norvegjez është që të ndryshojë skemë, nga 4-2-3-1 në 4-3-3, në mënyrë që të përfshijë në formacion francezin Paul Pogba, nëse ky i fundit vendos të qëndrojë, të tërheqë më mbrapa portugezin Fernandes dhe në qendër të alternojë emra si Fred, McTominay e Matic.

Shumë më i qetë është trajneri Solskjaer, kur hedh sytë nga reparti i sulmit, ku në qendër Anthony Martial dhe Edinson Cavani do të duelojnë për një vend titullari, ndërsa në krahun e djathtë vendi në formacion i takon Jadon Sanchos, me Greenwood e Matën të gatshëm ta zëvendësojnë.

Situatë komode edhe në krahun e majtë të sulmit, ku titullar shihet Marcus Rashford, por në pritje të rikuperimit të tij nga një dëmtim në shpatull, do t’i jepet shansi të tregojë veten, anësorit Jesse Lingard, i cili u rikthye nga huazimi mjaft i suksesshëm te West Ham.

Tashmë Solskjaer ka jo vetëm një ndërthurje perfekte mes eksperiencës e talentit, por edhe lojtarë që bëjnë diferencën, e mbi të gjitha alternativa të shumta për çdo rol e rreshtim që dëshiron të përdorë, ndaj rikthimi te suksesi duket më pranë se kurrë.

Top Channel