“E pashë duke u kacavjerrë me litar”/ Zbardhet deklarata e policit të plagosur me çengel nga Fatmir Pjetri gjatë tentativës së arratisjes

11/08/2021 14:00

Top Channel ka siguruar deklaratën e Myfit Xhekës me detyrë specialist informacioni në burgun 313, i cili mbeti i plagosur gjatë tentativës për arratisje të Arbër Lekajt dhe Fatmir Pjetrit.

Ai ka rrëfyer detaje nga ngjarja, ku Pjetri e qëlloi me çengel në kokë gjatë momentit që do të zbriste me çarçafët e bërë në formë litari bashkë me Çekajn.

“Në orën 6:30 kam marrë shërbimin deri në orën 19:00, ku më vunë në detyrë për të menaxhuar gjithë aktivitetin e institucionit, rreth orës 14:20 më njoftoi përgjegjësi specialist  dhe më tha se i paraburgosuri Lulëzim Çepele kishte dëmtuar damarët e dorës së djathtë dhe ishte shoqëruar në infermieri për ndihmë.  Mjekja më tha se duhej dërguar në spital për qepje , informova  dhe po prisja që të vinte ambulanca ne shoqërimin përkatës.  Në orën 14:55 fus ndihmë specialistin për të nxjerrë një të gatshëm, ndërkohë që punonjësi i policisë ka parë njërin nga të burgosurit duke u kacavjerrë me litar. Unë dola në oborr bëra të mundur neutralizimin , por Fatmir Pjetri kishte në dorë një hekur në formë harku. Ai më goditi në kokë në anën e majtë.  Gjithashtu ka goditur me levë edhe punonjësin e portës  dhe më pas së bashku me të kemi neutralizuar Pjetrin.  në këtë kohë Arbër Çekaj  ishte duke zbritur në të njëjtin litar si Pjetri, duke iu drejtuar portës kryesore, por është neutralizuar nga polici.  U bë prangosja e tyre dhe u shoqëruan tek dhomat e kontrollit.  kam shkuar në urgjencën e Traumës ku mora ndihmën e parë mjekësore, bëri rreth 5 qepje në kokë”, tha i plagosuri.

Top Channel