Dyshime se ndihmuan Arbër Çekajn dhe Fatmir Pjetrin të arratiseshin/ Çfarë deklaruan policët! Top Channel siguron dosjen

11/08/2021 12:46

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar ditën e sotme dosjen në të cilën Prokuroria e Tiranës hedh dyshime se policët që ishin në burgun 313 ditën e tentativës për arratisjes Fatmir Pjetrit dhe Arbër Çekajt kanë shpërdoruar detyrën.

Në dosje janë zbardhur disa prej dëshmive të policëve që ndodheshin në turn ditën që ata tentuan të arratiseshin me çarçafët e bërë gërshet, por që plani i tyre dështoi.

Prokuroria e Tiranës tha për Top Channel se ka dyshime se  me veprimet dhe mosveprimet e tyre policët e burgut 313 Gëzim Ramushi, Sajmir Shahini, Bashkim Muça, Olti Myzyri, Redion Maloku dhe Edmon Prenga mund të kenë shpërdoruar detyrën.

Kjo vjen pasi nuk kanë ushtruar kontroll fizik tek Fatmir Pjetri i cili kishte me vete një çantë. Prokuroria e ka deklaruar këtë edhe para trupës gjykuese, duke theksuar se ka nisur hetimet edhe për ta.

Është marrë në pyetje polici, Bledar Kurti me detyrë punonjësi i vëzhgimit të ajrosjes në burg, ku është shprehur se Edmond Prenga dhe Olti Myzyri, dy nga policët që reaguan pas të bërtiturave të tij shkuan për të parë të dënuarit dhe u kthyen pasi nuk kishin parë asgjë të dyshimtë.

“Kam marrë detyrën në orën 8:00 të mëngjesit. Pasi kam marrë çelësat jam futur brenda në sektorin A, ku kam shkuar në vendin tim të punës. Deri në orën 12:00 kam qëndruar në ajrosje dhe më pas pasi mbaroi orari i ajrosjes kam qëndruar në dhomat e gatshme ku rrimë gjithnjë. Para se të dilja përsëri në ajrosje kam parë një të paraburgosur i cili kishte prerë dorën dhe shkoi në infermieri. Më pas rreth orës 14:50 kam shkuar përsëri në vendin tim të punës ku unë shërbej  dhe dalin në të njëjtën kohë sektorët 1-2 i katit të 2 dhe në krahun tjetër del sektori 2/4 dhe 2/5 katit të 2.  Vura re se dy të paraburgosur hapën rrjetën dhe hypën në zgarën e ajrosjes, kam shkuar në vend dhe arrita të kapja me një dorë të paraburgosurin Fatmir Pjetrin, por nuk arrita ta ndaloja pasi më iku dhe iu drejtua fundit të ajrosjes, ku aty lidhën litarin dhe u hudhën në krahun e oborrit. Në moment kam bërtitur për të më dëgjuar polici poshtë kolonës dh kam hapur derën e ajrosjes pasi ishte e mbyllur me shul nga të dy të paraburgosurit dhe më pas kanë ardhur dy policë Edmond Prenga dhe Olti Myzyri të cilët hipën në zgarën e ajrosjes për të parë të dënuarit dhe u kthyen pasi nuk panë asgjë. Më pas kam qëndruar në vendin e punës deri në momentin që kanë ardhur ekspertët për këqyrjen e ngjarjes.

Pamje nga kamerat e sigurisë

Një tjetër punonjës i policisë me detyrë vëzhgues i ajrosjes, Xhavit Kurti është marrë në pyetje ku ka deklaruar se: kam marrë shërbimin si çdo ditë në orën 8:00 të mëngjesit. Pasi kam marrë shërbimin kam konstatuar se elementët e sigurisë ishin në rregull pa probleme. rreth orës 15:00 jemi ngjitur në për të nisur ajrimin e pasdites. Sipas grafikut ka pasur ajrim sektori 2/4 dhe 2/5. Kam parë punonjësin e policisë së ajrosjes që po bënte debat me të paraburgosurin Arbër Çekaj, i cili kishte hipur sipër zgarës së ajrosjes dhe mua mu duk se e kapa prej këmbe dhe nuk arrita ta neutralizoj. Në këtë moment duke qenë dhe me trup të gjatë ka hapur rrjetën sipër dhe është ngjitur, kanë bërtitur policët Fiqiri Halili që të njoftojë informacionin për ngjarjen pasi nuk kishim as telefon dhe as radio. Nuk kam parë asgjë më shumë pas këtij momenti.

Një tjetër polic është marrë në pyetje, Ali Almeta me detyrë ndihmës specialist tha se: kam marrë shërbimin në orën 6:15 dhe kam dalë për të rreshtuar turnin e parë të efektivëve. Futemi bashkë me trupën për  kontrollin fizik tek skaneri dhe i shoqërojmë në godinat sipas sektorëve. kam vazhduar me praktikat e punës, ndërsa u lajmëruam nga Lulzim Çepele ka prerë damarët e dorës.  Në momentin që dalim jashtë dëgjoj zhurma dhe të bërtitura dhe në këtë moment kemi lënë të paraburgosurin te kontrolli me policin. Aty kemi parë të gjakosur punonjësin Lefter Hysenlika i cili kishte neutralizuar Fatmir Pjetrin dhe më pas kam parë Çekajn  duke goditur punonjësin e sigurisë te porta e jashtme dhe kemi ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe prangosur.

Fatmir Pjetri dhe Arbër Çekaj

Gjykata vendosi masën “Arrest me burg” për të tre, veç izolimit dhe burgut që kanë mbi kurriz, ndërsa Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dolën para trupës gjykuese ditën e sotme bashkë me bashkëpunëtorin e tyre Lulzim Çepele që u përfshi në arratisje sepse improvizoi vetëvrasje duke prerë damarët e dorës.

Kujtojmë se para disa ditësh, Çekaj dhe Pjetri tentuan të arratiseshin nga burgu duke përdorur litar të formuar nga çarçafët e shumtë, por dështuan. Madje kur u pikasën nga oficeri i burgjeve, i cili dha alarmin për tentativën e arratisjes, Pjetri e qëlloi me çengel.

Çarçafët e bërë gërshet për t’i ndihmuar të arratiseshin nga burgu

Çekaj i dënuar me 14 vite burg dhe Pjetri i dënuar me 30 vite burg u ndaluan pak metra larg portës, pikërisht në oborrin mes zyrave të administratës dhe qelive, muret e të cilëve gati 11 vjet më parë u kapërcyen nga i riu Ajet Marku që sfidoi burgjet dhe jetoi në arrati për tre vitet e mëpasshme. Tentativa e dytë e dështuar falë kujdesit të një oficeri ka sjellë një analizë të detajuar në burgje, të cilat po vlerësojnë kushtet e sigurisë në 313, brenda të cilit gjendet edhe 41 bis.

Hap pas hapi… si tentuan të arratiseshin

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha siguroi pamjet hap pas hapi të tentativës për arratisje. Në orën 15:00 u hapen dyert e qelisë dhe prej andej del me një çantë në dorë Fatmir Pjetri.

Por ai nuk kontrollohet dhe e njëjta shkelje kryhet edhe me Arbër Çekajn i cili drejtohet për në tarracë, nga ku brenda tetë minutash tentuan të arratisen. Fatmir Pjetri dhe Arbër Çekaj kapërcejnë kufizimin e vendit të ajrimit duke u varur nëpër shkallë në zyrat e administratës.

I dënuari Fatmir Pjetri zbret në sheshpushim dhe pas përleshjes së bashku me Çekajn drejtohet për tek porta kryesore e burgut , aty ku përleshja mes tyre dhe tre policeve të tjerë është e dukshme. Ata janë vetëm tre hapa larg lirisë, por ky plan u dështon.

Kamerat tregojnë se në orën 15.11 pasi janë prangosur Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri kthehen në ambientet e qelive.

Top Channel