Arrestohen dy vëllezërit/ Ngatërruan “objektivin” që i kërkuan 600 euro, qëllojnë gabimisht me armë të riun në Theth (Emrat)

11/08/2021 10:17

Një 38 vjeçar, i identifikuar si Kujtim Koçeku është arrestuar në Shkodër pasi plagosi me armë zjarri një 23-vjeçar të identifikuar me inicialet P.H.

Gjithashtu, vihet në pranga edhe Nikolin Koçeku, vëllai i 38-vjeçarit, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

23-vjeçari u qëllua gabimisht pasi “shënjestra” e tyre ka qenë një 28-vjeçar i identifikuar me inicialet Gj.K., të cili i kishin kërkuar më parë 600 euro.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Nikolin Koçeku i kishte kërkuar 600 euro shtetasit Gj. K., 28 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër, me të cilin ka patur konflikt të mëparshëm, dhe ky shtetas ka qenë objekti, pasi 28-vjeçari qarkullonte me mjet pas automjetit të shtetasit P. H., në momentin kur shtetasi P. H. është plagosur me armë zjarri nga shtetasi Kujtim Koçeku”, thuhet në njoftimin e policisë.

Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit Kujtim Koçeku, 38 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim“ e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, pasi më datë 09.08.2021 ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi P. H., i cili po udhëtonte me mjetin e tij nga Thethi në drejtim të fshatit Nderlysë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme

Top Channel