Tiranë/ I vihen prangat tre personave, dy procedohen penalisht. Kush është 31-vjeçari që akuzohet për ngritjen e një skeme mashtrimi (EMRI)

10/08/2021 16:43

Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre persona, si dhe ka proceduar penalisht dy të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Mes të arrestuarve është 31-vjeçari Gëzim Culaj, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 3 vjet burg, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

“Specialistët e Seksionit Ekonomik dhe Financiar bënë ekzekutimin e urdherit të Prokurorit, për shtetasin në kërkim Gëzim Culaj, 31 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka denuar me 3 vjet burg, për vepren penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar””, njofton policia.

Po ashtu janë arrestuar një 36 dhe një 30-vjeçar, pasi njëri ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës dhe mbesës, ndërsa tjetri është autori i një aksidenti të shkaktuar mbrëmjen e djeshme, ku e plagosur mbeti një grua.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 36 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës dhe mbesës së tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. P., 30 vjeç, pasi në bulevardin “Gjergj Fishta”, ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen P. S., rreth 60 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, bën me dije policia.

Ndërsaa në Prokurori janë referuar materialet për dy vëllezër, të cilët për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta një 54 vjeçar, i cili pas mjekimit në spital, u largua për në banesë.

Po ashtu po punohet për kapjen e një 33 vjeçari, sepse në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ka goditur me një mjet prerës duke e dëmtuar lehtë një shtetas.

“Më datë 09.08.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasit D. P., 26 vjeç dhe L. P., 30 vjeç(vëllezër)  sepse në rrugën “Llambi Bonata” Kombinat, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin B. S., 54 vjeç, i cili pas mjekimit në spital, u largua për në banesë.

Më datë 09.08.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit Y. Sh., 33 vjeç, sepse në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ka goditur me një mjet prerës duke e dëmtuar lehtë shtetasin E. Gj. Punohet për kapjen e tij”, përfundon policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel