Situata e zjarreve mbi tunelin e Kalimashit/ Çako: Ka qenë një natë e vështirë, është nën kontroll të plotë

10/08/2021 09:26

Kreu i Emergjencave, Haki Çako ka folur për situatën e zjarreve mbi tunelin e Kalimashit duke thënë se ka qenë një natë e vështirë, por flakët janë vënë nën kontroll.

Po punohet për 3-4 vatra mbi tunel, ndërsa thekson se zonat e banuara nuk janë në rrezik. Çako tha se po punojnë me të gjitha forcat, të cilat i falenderoi për sakrificën dhe për punën me orë të zgjatur e pa pushim.

“Situata tashmë është nën kontroll të plotë të Forcave të Strukturave të Mbrojtjes Civile. Ka qenë një natë shumë e vështirë pasi është krijuar një ambient i vështirë për tunelin e Thirrës i cili është një korridor shumë i rëndësishëm i komunikimit midis dy trojeve tona, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ka pasur një angazhim maksimal të të gjitha strukturave. Falë angazhimit të tyre, u shmang katastrofa për të depërtuar zjarrin në tunel. Tashmë jemi në një proces pune intensive, po punohet pasi janë rreth 3-4 vatra mbi tunel dhe në pjesën e malit, i cili krijon dekantimin e tymit dhe problemit që shkakton për shkak të djegies së pyjeve. Më duhet të theksoj se puna do të vazhdojë, është një punë shumë e vështirë për të gjithë zjarrfikësit dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion. Është një moment që duhet të inkurajojmë dhe falenderojmë të gjithë për punën me orë të zgjatura dhe me të gjithë sakrificën që kanë marrë përsipër.

Për momentin po operohet edhe në bashkëpunim me forcat e ardhura nga Kosova. Zjarr është në distancë nga qendrat e banuara, por po punohet për ta shmangur qendrat e banuara. Nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërhyhet për të bërë evakuimin e banorëve”, tha Çako.

Top Channel