Një birrë falas për çdo të vaksinuar, nisma në Kosovë. Në botë ofrohen edhe lopë

10/08/2021 19:33

Një birrë falas për këdo që tregon dëshminë e vaksinimit. Kjo është nisma që një lokal në Prishtinë ka ndërmarrë për të stimuluar vaksinimet në vend.

Njëkohësisht shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka bërë publike iniciativën “Sigurohu, Vaksinohu”, për t’u imunizuar kundër COVID-19.

Ata kanë paralajmëruar se shumë shpejt do të hyjnë në fuqi masat e reja për luftë ndaj pandemisë.

Në to përfshihet edhe dëshmia e vaksinimit nga data 20 gusht, për një mori aktivitetesh në Kosovë.

E në fakt nisma si kjo në Prishtinë  që synojnë rritjen e vaksinimeve gjenden dhe në vende të tjera.

Serbia raportohet të jetë vendi i parë që ka ofruar para të gatshme për vaksinim, 25 euro secilit qytetar që ka marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Ndërkohë Para të gatshme ka propozuar edhe presidenti amerikan, Joe Biden, plot 100 dollarë për këdo që vaksinohet.

Greqia  nga ana tjetër është duke ofruar kuponë për të rinjtë e moshave 18-25 vjeç, pasi të marrin dozën e parë të vaksinës. Me këta këta kuponë ata mund të udhëtojnë, qëndrojnë nëpër hotele, të marrin pjesë në koncerte, kinema, dhe aktivitete të tjera kulturore.

Ndërsa në Kanada është përdorur lotaria , me shpërblime deri në një milion dollarë, kurse në Hong Kong çmimi kryesor është një apartament.

Por ndoshta shpërblimi më i çuditshëm është ai i Tailandës, që u mundëson personave të vaksinuar të fitojnë një lopë  në javë deri në fund të vitit.

Top Channel