Lionel Messi shkon të PSG, arrihet marrëveshja, prezantimi bëhet të mërkurën

10/08/2021 20:15

Lionel Messi do të jetë një futbollist i Paris Saint Germainit. Sulmuesi argjentinas që mesditën e së dielës i tha lamtumirën mes lotëve Barcelonës ka arritur akordin me klubin parizien për kalimin e tij në Ligue 1 ku ai do të bashkohet me mikun e tij Neymar pas 4 vitesh. Sipas të përditshmes franceze L’Equipe’, Lionel Messi do të nënshkruajë me transalpinët një kontratë 2 vjecare pasi të ketë kryer vizitat mjekësore, me prezantimin që pritet të bëhet ditën e mërkurë.

I konsideruar si një prej futbollistëve më të mëdhenjtë në historinë e të gjitha kohërave, Lionel Messi gjatë 21 viteve të qëndrimit të tij te skuadra katalanase  shënoi 672 gola në 778 ndeshje. Lionel Messi ishte vetëm 13 vjeç kur u bashkua me Barcelonën dhe talenti i tij ra menjëherë në sy te drejtuesit më të lartë të klubit katalanas.

Argjentinasi iu bë shumë shpejt pjesë e skuadrës së parë dhe debutimin me Barcelonën e bëri në një ndeshje miqësore me Porton në vitin 2003, pas kësaj historia e tij dihet. Për 17 sezone me skuadrën e parë, Messi fitoi zemrat e të gjithëve në Camp Nou me magjitë e tij në fushën e gjelbër. Me Barcelonën, Lionel Messi ka fituar 35 trofe mes të cilëve 10 tituj në La Liga, dhe 4 Liga Kampionesh. në aspektin individual Messi ka fituar ndër të tjerat 6 herë Topin e Artë dhe 6 herë Këpucën e Artë.

Lamtumira e Messit ndodhi në mënyrë të papritur pasi të gjithë prisnin nënshkrimin e kontratës së tij të re me Barcelonën. por Rregullat e Fai Play financiar të vendosur nga La Liga, bënë që ky rinovim të dështonte edhe pse akordi mes klubit blaugrana dhe futbollistit ishte arritur.

Kështu, pas  2 dekadash të jashtëzakonshme, argjentinasi largohet nga klubi që e formoi si futbollist dhe që ai e konsideronte gjithnjë si shtëpinë e tij, për të shkuar në Paris, qytetin e dashurisë për të vijuar karrierën e tij dhe ku do t’u bashkohet yjeve të tjerë të kësaj skuadre mes të cilëve edhe blerjet më të fundit të klubit  parizien Wijnaldum, Sergio Ramos, Hakimi dhe Gianluigi Donnarumma. Lionel Messi mund të bëjë debutimin e tij me skuadrën e tij të re që këtë të shtunë në sfidën me Strasbourg në Parkun e Princave, gjithnjë nëse procedurat e transferimit të tij në kryeqytetin francez do të mbyllen shpejt.

Top Channel