Situatë kritike në Karaburun/ Flakët iu afruan Parkut të Llogorasë. Zjarre në Kalimash dhe Pogradec 

09/08/2021 19:34

Situata nga zjarret në malin e Karaburunit është kritike. Flakët  i janë afruar Parkut të Llogorasë dhe po luftohet fort nga toka, por është e pamundur që të vihen nën kontroll. Ndërkohë që helikopteri ka bërë disa rrugë duke hedhur ujë, është e pamundur shuarja e flakëve.

Punonjësit e zjarrfikësve, të zonave te mbrojtura banorë të zonës por dhe ushtarë të FA e kanë të pamundur për shkak të terrenit tepër të vështirë për të ndërhyrë. Banorët e fshatit të Dukatit shprehen se kjo situatë është për shkak të neglizhencës nga ana e strukturave përkatëse.

Ndërkohë të gjithë punonjësit që ndodhen në mal në pamundësi për të vepruar dhe të lodhur nga temperaturat e larta nuk po veprojnë për shuarjen e zjarrit pasi është e pamundur.

Vatra e zjarrit në Majën e Rrunës, mbi tunelin e Kalimashit mbetet ende aktive ndërsa vijon puna për mbajtjen nën kontroll të flakëve që të mos kërcënojnë banesat.

Në fshatin Thirrë në Fan të Mirditës zjarri nuk paraqet rrezik për banesa, ndërsa po vijon puna për shuarjen e tij. Zjarri në fshatin Munellë-Domgjon është izoluar në njërin krah, por po vijon puna në krahun tjetër, ku ende ka prani flakësh.

Një zjarr i madh ka përfshirë edhe masivin pyjor të Aishteve në zonën e Mokrës në Pogradec e njohur si Guri i Nikës.

Drejt vendngjarjes janë nisur punonjës të zonave të mbrojtura dhe emergjencat. Ndërhyrja bëhet vetëm me mjete rrethanore pasi  zona është terren malor dhe i thyer.

Dy persona janë arrestuar në Mallakastër e fier për zjarrvënie të qëllimshme.  një 23 vjeçar banues në Anabreg, Mallakastër dyshohet se është autor i zjarrit në fshatin Çorrush, ku si pasojë është djegur sipërfaqe toke e konsiderueshme me bimësi të ndryshme. ndërsa një 39 vjeçar, banues në Fier u arrestua, pasi duke djegur disa mbeturina në pronën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë djegur ullinj, dru frutorë dhe hardhi. Rreth 9000 rrënjë ullinj shekullorë dhe 70 ha pyje me pisha është dëmi i shkaktuar nga zjarret e ditëve të fundit në Bashkinë e Fierit.

Top Channel