Njëri dogji mbeturina në pronën e tij, tjetri i vuri flakën tokës/ Arrestohen 2 persona për zjarrvënie të qëllimshme në Fier

09/08/2021 10:21
Foto ilustruese

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë për vënien e zjarreve në territorin e qarkut Fier.

Një 23-vjeçar i identifikuar me inicialet E.A., banues në Anabreg Mallakastër u arrestuar sepse dyshohet se është autor i zjarrit në fshatin Çorrush, ku si pasojë është djegur sipërfaqe toke e konsiderueshme me bimësi të ndryshme.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 39 vjeç, banues në Fier, pasi duke djegur disa mbeturina në pronën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë djegur ullinj, dru frutorë dhe hardhi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Top Channel